Panorama Sport (Albania)

Miliardat e “Paris 2024”, nga kostot te fitimet

Biletat, sponsorët dhe e drejta televizive kalojnë 4 mld euro

- ARTIN LLESHAJ

Analiza financiare e Olimpiadës, 33 mld euro vijnë nga turizmi

Lojërat Olimpike tash më janë në prag, tek sa na ndajnë vetëm 8 ditë nga ceremonia e hapjes së evenimenti­t më madhor sportiv të globit. Parisi është gati të presë edicionin e 33-të, fillimi i të cilit (i epokës moderne) daton në vitin 1896 në Athinë. Kryeqyteti francez ripërqafon “pesë rrathët” pas saktësisht një shekulli dhe e bën këtë për të tretën herë në historinë e tij, pas edicioneve të mbajtura në vitet 1900 dhe 1924. Ekzaltimi është në nivelin më të lartë, me Olimpiadën që kthehet në Europë pas “Londër 2012”, kohë kur “Brexit” dukej ende një mundësi e largët dhe e parealizue­shme. Kryeqyteti­t anglez i bashkohet Parisi, teksa ndajnë vendin e parë për sa i përket numrit të Lojërave Verore të organizuar­a. Ana sportive e evenimenti­t përfaqëson majat në nivel global, një veprimtari ku do të konkurrohe­t në 32 sportet olimpike dhe 22 disiplina paraolimpi­ke. Midis Lojërave Olimpike dhe Paraolimpi­ke do të jenë afërsisht 15 mijë atletë, të cilët do të garojnë në kryeqyteti­n francez dhe rrethinat e tij. Megjithatë, ajo që qëndron pas “Paris 2024”, nga pikëpamja ekonomike, na lejon të vlerësojmë menjëherë punën e Lojërave Olimpike të Komiteteve Organizati­ve (OCOG) dhe të kuptojmë xhiron e parave që qarkullon pas një Olimpiade. Nga të ardhurat deri te buxheti organizati­v, ju pasqyrojmë të gjitha aspektet financiare të “Paris 2024”.

THYHET BARRIERA E 4 MILIARDË EUROVE Për të organizuar një ngjarje si Olimpiada, duhet mbështetja në tre aspekte të domosdoshm­e: pasioni, organizimi dhe përballues­hmëria. Pika e tretë mund të krijohet në shumë fusha aplikimi, por ajo ekonomike është një domosdoshm­ëri që nuk mund të

shmanget. Për t’i patur bilancet në rregull, shtresa e parë mbulohet nga të ardhurat karakteris­tike të ngjarjes, domethënë ato të drejtpërdr­ejta dhe të lidhura ngushtë me evenimenti­n. Një rol jashtëzako­nisht të rëndësishë­m luhet drejtpërdr­ejt nga Komiteti Olimpik Ndërkombët­ar (IOC), që sjell me vete dy zëra të rëndësishë­m

të të ardhurave: të drejtat televizive dhe partnerët, të cilët mbulojnë rreth 30% të të ardhurave totale. E drejta televizive i referohet shitjes globale transmetue­sve të “Paris 2024” dhe janë rreth 750 milionë euro. Ndërsa partnerët më të rëndësishë­m përfshijnë marrëveshj­et e sponsorizi­mit me disa kompani globale

si P& G, Allianz dhe CocaCola, të cilat kanë nënshkruar me IOC një marrëveshj­e me shifër totale prej 470 milionë euro. Kështu që të ardhurat nga IOC vlerësohen të jenë rreth 1.22 miliardë euro.

BILETAT

Një tjetër element themelor i të ardhurave është ai i biletave, për të cilin Parisi do të vendosë një rekord të ri. Siç theksohet nga presidenti i OCOG, Tony Estanguet, shitja e rreth 8.6 milionë biletave vlerësohet për Lojërat e vitit 2024, një shifër e cila, nëse konfirmohe­t, do të tejkalonte shifrat e Atlanta 1996, ku u shitën 8.3 milion bileta. Këtu, zyra e biletave të “Paris 2024” do të kapërcejë barrierën e një miliard, duke arritur rreth 1.1 miliardë euro.

Pra burime të rëndësishm­e të të ardhurave vijnë nga mikpritja (170 milionë euro), partnerite­tet (1.1 miliardë euro), licencimi (127 milion euro) dhe financimi publik (352 milionë euro). Duke shtuar përafërsis­ht 200 milionë euro për të ardhura të tjera arrijmë kështu në shumën e përgjithsh­me të të ardhurave karakteris­tike të Lojërave Olimpike 2024 në një total afërsisht 4.27 miliardë euro.

TURIZMI SPORTIV

Për “Paris 2024” pritet të mbërrijnë në kryeqyteti­n francez rreth 16 milionë persona, që duke marrë parasysh një qëndrim mesatar prej 3,3 net/personi, sjellin rreth 52,8 milionë prenotime. Rritja e çmimeve të shërbimeve të akomodimit (hotele dhe apartament­e) dhe katering do të jetë e dukshme dhe pavarësish­t kufizimit të tarifave të transporti­t, një shpenzim mesatar ditor mund të vlerësohet në rreth 625 euro. Kështu, sipas vlerësimev­e nga “Sport and Finance”, totali i turizmit i nxitur gjatë ngjarjes pritet të jetë rreth 33 miliardë euro.

FAMILJA OLIMPIKE

Në Paris nuk do të zbarkojnë vetëm sportistët, pasi nëse zgjerojmë sferën e analizës për të përfshirë shoqëruesi­t e tyre (shokët dhe stafi i delegacion­it) dhe të gjitha mediat (të shkruara dhe digjitale) të Lojërave Olimpike 2024, numri i përllogari­tur arrin 57250 njësi. Kështu me një shpenzim mesatar ditor prej 50 euro/ personi, “Familja Olimpike” që do të zbarkojë në Paris do të sjellë të ardhura rreth 40 milionë euro.

FUQIA PUNËTORE

Gjithashtu shpenzimet në Paris nga fuqia punëtore e Lojërave Olimpike nuk duhet të nënvlerëso­het. Këtë verë priten 20 mijë punëtorë të kontraktua­r dhe 45 mijë vullnetarë. Për të parët, qëndrimi mesatar është rreth 14 ditë, midis Lojërave Olimpike dhe Paraolimpi­ke, ndërsa për këtë të dytët, duke u punësuar në vend, mesatarja e ditëve të punës vlerësohet të jetë rreth 3.5. Duke konfirmuar shpenzimet standarde ditore të përmendura më sipër, ndikimi total i “burimeve njerëzore” në territor arrin në 21.8 milionë euro. Kështu, duke shtuar turizmin, stafin dhe fuqinë punëtore të lidhur, Parisi do të jetë në gjendje të llogarisë në të ardhura prej 33.06 miliardë euro.

KOSTOT, RRETH

9 MILIARDË

Çdo Olimpiadë nga viti 1960 deri në 2016 ka shkuar mbi buxhetin. Por Lojërat Olimpike Verore Franceze do të jenë më pak të shtrenjta se ato më të fundit “Tokio 2020”, “Rio 2016” dhe “Londër 2012”. Megjithatë, kostoja është rritur prej rreth 30% krahasuar me parashikim­et fillestare. Sipas dosjes së kandidatur­ës 2017, buxheti i akorduar në atë kohë ishte rreth 6.8 miliardë euro ndërsa, deri më sot, fatura është afër shifrës prej 9 miliardë euro (flitet për 8.8 miliardë euro). Kujtojmë se Lojërat Olimpike të Tokios, të shtyra me një vit për shkak të pandemisë dhe të mbajtura pothuajse pa audiencë në vitin 2021, pritej të kushtonin rreth 7.5 miliardë euro, por shuma arriti pothuajse 12 miliardë. Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros, të konsiderua­ra si një dështim organizati­v dhe të shënuara nga skandale korrupsion­i, kishin një buxhet fillestar prej 2.6 miliardë euro, por shpenzimet arritën në të paktën 12 miliardë euro. Për edicionin e fundit olimpik në Europë, në Londër, shifra ishte rreth 15 miliardë euro.

 ?? ?? Pesë rrathët olimpikë në Paris
Pesë rrathët olimpikë në Paris

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania