Salah, statistikat thonë se nuk ka asgjë më pak sesa Mesi dhe CR7
Jyrgen Klop tha pas golit spektakolar të Mohamed Salahut ndaj Mançester Sitit të dielën se sulmuesi egjiptian është i klasit botëror dhe nuk ka asgjë më pak sesa Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi. I të njëjtin mendim me trajnerin e Liverpulit është edhe ish-mbrojtësi Xhemi Karrager. 29-vjeçari shënoi një gol spektakolar individual, të dytin për “Reds”-at në barazimin 2-2, i cili ishte i nënti në po kaq ndeshje këtë sezon. “Unë nuk mendoj se është dikush më i fortë në botë për momentin apo në futbollin europian? Nuk mendoj me të vërtetë. Kam parë Champions-in dhe rekordi i tij në këto vitet e fundit ka qenë i shkëlqyer”, tha Karrager për “Sky Sports” pas ndeshjes. Pavarësisht vuajtjeve të Liverpulit sezonin e shkuar, Salah bëri një sezon të shkëlqyer në aspektin individual. Që prej nisjes së 2020-‘21, ai ka shënuar 40 gola në 60 ndeshje dhe këtyre u shtohen
edhe 9 asiste. Janë shifra të krahasueshme me ato të dy lojtarëve më të fortë të dekadës së fundit, Mesit dhe Ronaldos. Argjentinasi ka shënuar 39 gola dhe asistuar 12 gola në 52 ndeshje prej fillimit të sezonit të shkuar, ndërsa portugezi e ka tundur rrjetën 41 herë
(5 asiste) në 51 ndeshje. Mohamed Salah e gjen rrugën e golit gjatë kësaj periudhe çdo 101 minuta, Mesi çdo 89, ndërsa Kristiano çdo 92 minuta. Por ylli i Liverpulit ka një saktësi më të madhe përpara porte sesa kolegët e tij, duke shndërruar në gol 20.5% të goditjeve të tij.
Mesi e ka këtë mesatare finalizimi shumë më të ulët, 13.7%, ndërsa Ronaldo 17.2%. Mesi dominon bindshëm në kategorinë e driblimeve, me 63.1% sukses të tyre, 20.7% më shumë sesa Salah. Ndërkohë që Ronaldo kompleton 59.6% të driblimeve të tij.