Panorama Sport (Albania)

Vjen Ronaldo, por Pioli nuk humbet asnjë duel direkt

-

Kur pret Juventusin ekziston dëshira që të thuash se është një ndeshje si gjithë të tjerat, që nuk bëhet fjalë për një duel deciziv... Kur pret Juventusin gjithashtu e gjithë bota ndryshon sepse rruga për të bërë është ende e gjatë dhe të arrish të çosh në shtëpi një tjetër duel direkt do të thoshte të jepje një sinjal të saktë dhe të rëndësishë­m ndaj rivaleve. Milani do ta rinisë nga Ronaldo, brenda një takimi në të cilit do të hasë edhe një emergjencë dëmtimesh, por me një shtytje dhe një dëshirë që askush ndoshta nuk e ka për momentin në Itali. Dhe pse jo, me atë çmendurinë e brezit të ri që po mban peshë Milanin, horizonti pas mbrëmjes së të mërkurës mund të jetë ende i mbushur me ëndrra. Por le ta nisim nga duelet direkte: 3 pikë me Interin; 3 pikë me Napolin, 3 pikë me Lacion dhe 1 pikë me Romën, e cila i ndenji shumë ngushtë “Djallit”. Ky udhëtim deri tani duket gjithsesi fantastik, por që tregon se Milani i Piolit është në lartësinë e duhur dhe jo më kot qëndron i pari kundrejt të gjithave skuadrave të tjera që pretendojn­ë titullin kampion dhe zonën Champions. Madje, me atë çfarë kanë shfaqur kuqezinjtë deri tani të bën të kuptohet se sa më e komplikuar të jetë pengesa për t’u kaluar, aq më e madhe bëhet shtysa e këtij grupi fantastik për të kaluar pengesën e radhës. Dhe nëse shohim renditjen aktuale, pikët që Milani ka lënë rrugës kanë ndodhur me skuadra që janë të mesit e poshtë tabelës. Prandaj, me Juventusin që pritet të zbarkojë në Milano, tensioni në skuadër duhet mbajtur lart dhe kurrsesi nuk duhet pasur frikë. Kurrë! Fundja, Pioli dhe banda e tij e kanë treguar sesi mund të mposhten Ronaldo me shokë. Ndeshja e fituar 4-2 me përmbysje, në muajin korrik, plus dy barazimet në Kupën e Italisë e thanë qartë se për këtë Milan asgjë nuk është e pamundur dhe as Juventusi me jashtëtokë­sorin e saj nuk tremb më. Vetëbesimi që ka arritur Milani tregohet edhe në faktin se teksa i afrohemi fundit të fazës së parë jo vetëm që nuk ka humbur asnjë duel direkt dhe vendi i parë është më se i meritueshë­m, kjo skuadër nuk humb në Serinë A prej 27 takimesh. Ndaj, me bindjen se as Juventusi nuk është i pathyeshëm, përkundraz­i janë ato që nuk u lejohet të bëjnë një hap fals, Milani mund ta luajë denjësisht duelin e mbrëmjes së nesërme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania