Panorama Sport (Albania)

Bie poshtë hipoteza Fetel, Valteri Botas rinovon deri në 2021-shin me Mercedesin

FORMULA 1/ Volf: Na sjell pikë dhe shkon mirë me Hamiltonin

-

Valteri Botas do të vazhdojë të jetë pilot i skuadrës Mercedes në Formula 1, të paktën deri në vitin 2021. Finlandezi ka rinovuar edhe për një sezon kontratën e tij me skuderinë gjermane, ku do të vijojë të jetë koleg skuadre me britanikun Hamilton. Fitorja në garën e parë të këtij sezoni, si dhe paraqitjet mjaft të mira në tri eventet pasardhëse, kanë bërë që “shigjeta e argjendtë” (këtë sezon e zezë) t’i besojë sërish 30-vjeçarit. Pas mori trashëgimi­në e Niko Rosberg, Botas do të drejtojë në vitin 2021, për sezonin e pestë radhazi makinën Mercedes. Në komunikatë­n zyrtare, skuderia gjermane ka theksuar se paraqitjet e bëra nga Botas i kanë garantuar titullin e konstrukto­rëve Mercedesit. Një pilot që ka arritur të sigurojë tetë fitore, ndërsa regjistron gjithashtu 48 podiume në Formula 1. Edicionin e kaluar e mbylli në vendin e dytë, pas shokut të skuadrës Luis Hamilton, ndërsa në Botërorin aktual është gjithashtu i dyti. “Jam shumë i lumtur që do të qëndroj te Mercedes në vitin 2021. Vit pas viti kam punuar për t’u përmirësua­r. Jam në momentin tim më të mirë, por gjithnjë ka vend për t’u rritur si pilot. Që fëmijë kam ëndërruar që një ditë të bëhem kampion bote, ndërsa këtë vit jam në vendin e dytë dhe në garë për ta arritur këtë gjë. Qëndrimi te Mercedes do të më japë mundësinë të jem në skuadrën më të mirë të mundshme edhe në botërorin e ardhshëm”, tha finlandezi. Ndërsa Toto Volf e komentoi kështu zgjatjen e kontratës me Botasin: “Po shikojmë Valterin më të fortë që kemi parë ndonjëherë, si në paraqitjet në pistë, ashtu edhe në aspektin fizik e psikologji­k. Jam i bindur që kemi dyshen më të mirë të pilotëve në Formula 1 dhe duam ta vazhdojmë këtë ritëm edhe në vitet e ardhshme. Botas është një pilot që i sjell pikë ekipit, ndërsa gjithashtu ka një marrëdhëni­e të mirë me Hamiltonin”, deklaroi shefi i Mercedesit. Botas mposhti konkurrenc­ën e Xhorxh Rasëll, ky i fundit disa ditë më parë u konfirmua nga Uilliams edhe për vitin 2021. Gjithashtu, bie përfundimi­sht edhe hipoteza Sabastian Fetel për Mercedesin. Për pilotin gjerman projektohe­t një kalim te Racing Point, ku raportohet se palët prej kohësh janë në kontakt.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania