Gjermeni: Volejbolli duhet të nisë i pari, luhet në fusha të ndara
Josif Gjermeni, ish-trajneri historik i skuadrës së Lushnjës dhe i Kombëtares së të rejave, në një opinion për gazetën “Panorama Sport” tha se ka ardhur momenti që volejbolli duhet të rifillojë dhe të mbyllet në parket. Specialisti lushnjar deklaroi se volejbolli është përmirësuar në 2-3 vitet e fundit duke iu larguar krizës. Ikona e myzeqarëve theksoi se rënia e skuadrës së Lushnjës ka ardhur si pasojë e mungesës së sponsorit, infrastrukturës skandaloze dhe organizmit të dobët nga ana e bashkisë.
Profesor, volejbolli si shumë aktivitete të tjera sportive, është ndërprerë, për shkak të situatës së krijuar nga “COVID-19” dhe ende nuk ka rifilluar. Cili është opinion juaj?
Ndër sportet kolektive volejbolli është i pari që duhet të zbresë në parket. Është një sport ku skuadrat luajnë në fusha të ndryshme. Lojtarët nuk kanë kontakt me kundërshtarët. Unë mendoj që palestrat e lojërave me dorë duhet të dezinfektohen. Të ketë një kontroll të rreptë mjekësor dhe në ndeshje të jetë prezent një staf mjekësor. Skuadrat duhet të marrin kohë për t’u përgatitur dhe të njihen me datën zyrtare të rifillimit, në mënyrë që trajnerët të bëjnë edhe programin e punës. Volejbolli duhet të kishte rifilluar dhe është me vonesë. Është një sport kaq i bukur dhe në zemrat e mijëra njerëzve.
Ju e keni kritikuar nivelin aktual të volejbollit, madje e keni krahasuar me atë të spartakiadave. Po tani, si gjykoni?
Në 2-3 vitet e fundit volejbolli shqiptar ka një përmirësim të dukshëm dhe i ka dhënë një “shkelm” krizës. Ardhja e lojtareve të huaja ka ndikuar në rritjen e cilësisë, në rivalitet dhe në specialitet. Mbetet për t’u përmirësuar loja e shpejtë dhe organizimi i bllokut. Së pari, duhet të arrihen parametrat maksimalë në aspektin atletiko-fizik. Për sa i përket teknikës është e vështirë që lojtarja të marrë përsosmërinë në moshë të madhe. Volejbolli fillon në moshën 7 vjeç. Blloku dhe loja e shpejtë kërkojnë teknikë të lartë. Por, kemi një përmirësim dhe po shohim që niveli është në rritje.
Dy javë para përfundimit të kampionatit, Lushnja është në garë me Elbasanin për të kaluar në “play off”. Sa janë mundësitë e skuadrës për të kaluar në A1?
Ky rezultat sportiv që ka sot Lushnja dhe Elbasani është një tregues i qartë i skuadrave me traditë që vuajnë sponsorizimin. Ngrihet një skuadër si “Huqi”, me emrin e sponsorit, fiton 7 ndeshje radhazi dhe kalon në A1 dy javë para përfundimit. Unë mendoj se është një mundësi të cilën skuadra e Lushnjës duhet ta shfrytëzojë. Në volejboll gjithçka ndodh. Është ndeshje e drejtpërdrejtë që duhet fituar 3-0. Vajzat e Krutjes e kanë pasur karakteristikë shpirtin e garës dhe duke dhënë maksimumin mund ta kalojnë me sukses.