Talentet, Bardhi: Federata po përdor standard të dyfishtë
"Ja si u veprua me taksën e origjinës dhe lojtarët e huaj"
Ndonëse për dy muaj të gjitha ak tivitetet e volejbollit në vend kanë ndalur për shkak të pandemisë së Koronavirusit, nuk mungojnë diskutimet dhe debatet në komunitetin e sportit të rrjetës. Nëse në ditët e mëparshme është folur shumë rreth mënyrës së vijimit të sezonit, këtë radhë Federata Shqiptare e Volejbollit ka përfunduar në shënjestër për disa vendime të marra kohë më parë. Më konkretisht, për taksën e origjinës, që klubet kërkojnë të përfitojnë nga talentet që nxjerrin nga sektori i moshave, si dhe për numrin lojtarëve të huaj të cilët aktivizohen në kampionat. Dritan Bardhi, trajneri i skuadrës Farka Volej, një prej ekipeve më të spikatura për lançimin e talenteve, deklaron se FSHV ka vendosur me standarde të dyfishta në dy raste. Në një prononcim për "Panorama Sport", Bardhi deklaron: "Ne dhe disa ekipe të tjera kërkuam që të merrej vendimi për lëvizjen e lojtarëve të origjinës, në mënyrë që klubet të cilat i formojnë këta lojtarë të përfitojnë diçka financiarisht, kur këta sportistë shiten, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh dhe na u tha që nuk mund të vendosim, pasi nuk janë të pranishme ekipet kryesore. Ndërsa kur erdhi puna për të vendosur për lojtarët e huaj, u mor vendimi që të luhet me tre lojtarë. Një standard i dyfishtë i përdorur nga federata, ku nëse në rastin e parë na u tha se nuk mund të vendosim pa qenë të gjitha klubet, në rastin e dytë ky standard nuk u zbatua. Nuk arrij ta kuptoj një sjellje të tillë. Të gjitha ekipet shpenzojnë për lojtarë të huaj duke investuar para, ndërsa kur vjen puna te
lojtarët vendës, për ne që punojmë dhe nxjerrim volejbollistë nuk ka asnjë përfitim", shprehet Bardhi. Më tej trajneri deklaron se FSHV duhet ta zgjidhë këtë problem me anë të një votimi "online", ku të jenë vetë klubet që të vendosin: "Dua t'i sugjeroj federatës, duke qenë se në asamble nuk ishin të pranishme të gjitha klubet, le ta bëjnë 'online', duke u dërguar 'email' skuadrave, në mënyrë që të votojnë për taksën e origjinës për lojtarët. Gjithashtu, të votohet edhe për luajtjen me tre lojtarë të huaj në kampionat, gjë e cila, sipas meje, nuk i sjell asnjë përfitim volejbollit tonë. Le të jenë vetë klubet ato që të vendosin për këtë gjë, në mënyrë që kur të nisë sezoni i ri, kjo të jetë e përcaktuar". Bardhi ka një tjetër propozim, që, sipas tij, do të ishte favorizues për zhvillimin e volejbollit: "Mendimi im është që gjatë fazës së parë çdo ekip duhet të ketë në përbërje një lojtar të moshës 18 vjeç, në mënyrë që t'u jepet dorë volejbollistëve vendës". Ndërsa për sa u përket diskutimeve për mundësitë e përfundimit të sezonit, trajneri i Farkës është në një mendim me versionet e federatës: "Mendoj që fituesi i kampionatit duhet të përcaktohet vetëm në parket dhe të mos jepet pa u zhvilluar ndeshjet. Nuk kam asnjë kundërshtim për sa i përket 'play off'-it, i cili le të zhvillohet si me 4 apo me 6 ekipe, por rëndësi ka që fituesi të dalë nga parketi", përfundoi prononcimin e tij trajneri kryeqytetas.