Një “bomber” për Flikun, Klose firmos zyrtarisht
Miroslav: Kam shumë eksperiencë për t'i sjellë skuadrës
Golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve, Miroslav Klose, do të jetë zyrtarisht zëvendëstrajner i gjigantëve të Bajernit të Mynihut. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Gjermanisë, por dhe i bavarezëve, prej disa vitesh ka patur rolin e trajnerit të skuadrave U-17 të Bajernit, por nga dje, Klose firmosi edhe kontratën e tij që do ta mbajë lidhur me kampionët deri në qershor të vitit 2021 me të drejtën e rinovimit. "Për mua është një hap i rëndësishëm në karrierën time si trajner. Shpresoj që të jap kontributin tim në këtë klub falë eksperiencës që kam akumuluar si futbollist, por edhe si trajner i moshave. Dua të falënderoj drejtuesit e klubit që më besuan një detyrë të tillë", tha 44vjeçari për faqen zyrtare të Bajernit të Mynihut. Kujtojmë se Hansi Flik dhe Miroslav Klose njihen që nga koha me Kombëtaren e Gjermanisë, Flik si ndihmëstrajner i "bosit" Joakim Lëv, ndërsa Klose si sulmuesi kryesor i "Pancerave". Eksperienca e të dyve ishte shumë frytdhënëse, pasi që të dy festuan me meritë Kupën e Botës në Brazil në vitin 2014, prandaj pas nënshkrimit të djeshëm nuk kishte se si të mungonin disa fjalë edhe nga
Hansi Flik. "Miroslav është një profesionist i vërtetë dhe me eksperiencën e tij mund të na ndihmojë shumë në të ardhmen. Ai e njeh mirë këtë klub, është pjesë e familjes së Bajernit dhe do vazhdojë të jetë shumë gjatë me ne", u shpreh trajneri i parë i kampionëve të Gjermanisë, duke konfirmuar
fjalët e thëna edhe disa javë më parë. Madje, fakti që Klose të ishte në stafin teknik të Bajernit ka qenë pikërisht dëshira e Flikut, që gjithashtu rinovoi deri në vitin 2023. Këtë e pohoi vetë shefi i klubit, Karl-Hainc Rumenige në një intervistë për "Kicker". Miroslav Klose vjen me një bagazh të madh, sidomos
në ndihmë të sulmuesve të skuadrës, duke menduar se vetëm në kombëtare numëron 71 gola në 137 ndeshje, duke hyrë në histori si një nga bomberat më produktivë për "Pancerat". Nga ana tjetër, Bajerni i Mynihut konfirmon edhe njëherë se jo vetëm që vazhdon t'i besojë eksperiencës dhe ikonave
të skuadrës për të ardhmen, por mbi të gjitha konfirmon se edhe në një situatë pandemie, puna e drejtuesve të tyre nuk ka reshtur, përkundrazi, e kanë shfrytëzuar për të mbyllur disa çështje të rëndësishme siç janë rinovimet e kontratave me stafin teknik dhe me lojtarë të ndryshëm.