Eurogol, Latifi: Dhurata më e bukur
“Më shumë bëj sesa marr, ju tregoj urimin më të bukur të ditës speciale për mua”
Dje, Liridon Latifi ka fryrë 26 qirinj në tortën e ditëlindjes. Ditë feste për mesfushorin e Kombëtares. Nëse çdokush ka pritur orën 12:00 për t’i dërguar mesazhet e urimit, ai ka përgatitur një dhuratë speciale për veten pikërisht një ditë para kësaj date. Një ditë para ditëlindjes, Sherif Tiraspol ka zbritur në fushë dhe ka fituar 4-0 përballë Dinamo Auto ku golin e katërt e ka shënuar Liridon Latifi. Ky i fundit, me një veprim mjaft të bukur në hyrje të zonës, driblon mbrojtësit kundërshtarë dhe më pas godet mjeshtërisht duke e dërguar sferën në trekëndësh.
EUROGOLI
Një eurogol fiks për ditëlindjen e tij. “Një ditë para, por ishte fiks një dhuratë për veten si për ta pritur ditëlindjen time. T’ju them të vërtetën, çdo gol që shënoj të ofron një ndjesi apo kënaqësi të veçantë, mirëpo goli si për rastin e ditëlindjes ishte me të vërtetë diçka e veçantë”, ka treguar Latifi për “Panorama Sport”.
DHURATA
Mesfushori tregon se nuk bën shumë dhurata për veten dhe më së shumti zgjedh njerëzit e dashur që t’u dhurojë diçka. “Nuk i bëj shumë dhurata vetes dhe më shumë preferoj që t’ju bëj dhurata njerëzve të mi. Mirëpo, e pranoj se kjo është dhurata më e bukur që i kam bërë vetes për ditëlindje (qesh..)”, shpjegon 26vjeçari.
URIMET
Çdo urim nga njerëzit e dashur, sado i përçuar me fjalë të thjeshta të jetë, është i bukur. Por, për shumëkënd urimet e nënës dhe dhuratat e të dashurës e mbushin ditën me emocionet më të këndshme. “Në këtë ditë të lumtur të jetës sime, çdo mesazh që kam marrë më ka bërë të ndihem mirë dhe i vlerësuar. Por veçoj mesazhin e nënës sime dhe dhuratat e të dashurës, të cilat preferoj të mos i bëj publike”, ka deklaruar Liridon Latifi, i cili me skuadrën e Sherif Tiraspol është duke zhvilluar fazën përgatitore
në pritje të startit të kampionatit. Latifi ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare në edicionin e fundit kualifikues dhe në rast se do të rigjejë edhe një herë tjetër formën e tij ideale, mund të ketë sërish ftesë në edicionet në vazhdim.