Rilindja e Mylerit: Bajernin e fitova, dua Europianin
Tomas: Ëndërroj Europianin, kam ende për të dhënë
Kontrata e Tomas Mylerit te Bajerni i Mynihut skadon në verën e vitit 2021. Një largim nga Mynihu mesfushori gjerman nuk e ka përjashton edhe sot, dy ditë pas ndeshjes për Kupën e Gjermanisë ndaj Hofenhaimit. Edhe pse 30-vjeçari është një nga figurat më të njohura në klubin gjerman, mundësia që ai të luajë për një skuadër tjetër është reale, edhe pse për momentin e harruar. Gjërat kanë ndryshuar, të paktën në këta dy muajt e fundit, ku Hansi Flik ka bërë që Tomas të ketë sërish vend në skuadër, aty ku po shënon prej katër ndeshjesh radhazi. Në 10 ndeshjet e fundit, Tomas ka qenë i përfshirë në 13 gola të shënuar nga skuadra e Bajernit. Vetë gjermani foli pas sfidës së të mërkurës duke thënë se po kalonte një moment shumë të mirë. “Jam aty ku kam dashur gjithmonë të jem, protagonist në fushën e lojës. Skuadra ka bërë mirë në këto ndeshjet e fundit, edhe pse ndaj Hofenhaimit lëshuam disi terren, sidomos në pjesën e dytë. Trajneri kishte të drejtë kur tha se skuadra ra në gjumë. Ndoshta rezultati 3-1 në minutën e 80-të bëri që ne të mendonim se ndeshja kishte përfunduar. Por ajo ndodh vetëm kur bie vërshëllima e fundit e arbitrit”, tha Myler që më pas shprehu edhe dëshirën për t’u rikthyer në kombëtaren e Gjermanisë. “Dëshira ime është ajo që ka qenë gjithmonë, të luaj për vendin tim. Jam ky që jam dhe nuk do të ndryshoj asnjëherë. Janë njerëz të tjerë ata që vendosin për këtë gjë”. Kujtojmë se zërat për një rikthim të mesfushorit në kombëtaren e Gjermanisë janë shtuar pas deklaratës së trajnerit Joakim Lëv, kur tha se nuk kishte përjashtuar mundësinë e rikthimit të Mylerit në Europian. “Nëse ai vazhdon me këtë performancë, pse jo. Dera e kombëtares nuk ka qenë e mbyllur asnjëherë përfundimisht. Të gjithë do të kenë mundësitë e tyre nëse do të jenë në formë të mirë, kjo vlen edhe për Tomasin”. Ndërkohë, në një votim “online” në “Bild”, 69% e tifozëve ishin pro rikthimit të Mylerit te “Pancerat”. Trajneri i Bajernit, Hansi Flik, ka qenë gjithashtu i mendimit se Tomas e ka vendin në Europian. “Ai është njësoj i rëndësishëm sa Kros, Nojer, Kimish dhe Rojs. Gjermania ka nevojë për një si Myler në skuadër. Ai ka fituar shumë me kombëtaren dhe mendoj që një vend në skuadër do të ishte më se i merituar”.