76 ndryshime në formacion, lojtarët i ankohen Pepit
Katalanasi nuk ka preferuar kurrë të njëjtin ekip këtë sezon
Zbulohen pjesë nga analiza 50minutëshe e Pep Guardiolës me skuadrën e Mançester Sitit pas humbjes ndaj Totenhemit mbrëmjen e së dielës. Trajneri katalanas, i cili u mbyll me lojtarët e tij për gati një orë në dhomën e zhveshjes pas disfatës që i la ata 22 pikë mbrapa kryesuesve të Liverpulit, ka dëgjuar edhe ankesat e futbollistëve për ndryshimet e shumta që ka bërë në formacion gjatë këtij sezoni sipas burimeve të "Daily Mail". 49-vjeçari nuk ka luajtur kurrë me një formacion në dy ndeshje gjatë 2019-2020 dhe ka bërë ndryshime radikale në skuadër që prej largimit të ndihmësit të tij Mikel Arteta drejt stolit të Arsenalit. "Daily Mail" zbulon se lojtarë të rëndësishëm të kampionëve të Anglisë janë të shqetësuar nga ndryshimet e shpeshta të taktikës së trajnerit të tyre dhe emrave që zbresin në fushë dhe ia kanë përcjellë pikëpamjet e tyre trajnerit gjatë mbledhjes së fundit. Në fakt, Pep e kërkoi vetë diçka të tillë, duke pyetur skuadrën për sugjerimet që ata kanë se si të përmirësohen, pasi vetëm gara
për titull mund të quhet e mbyllur dhe "Qytetarët" luftojnë ende në Ligën e Kampioneve dhe dy kupat e Anglisë. Siti ka bërë një mbledhje të ngjashme për 30 minuta edhe sezonin e shkuar pas humbjes 2-1 me Njukasëllin në janar. Dhe prej atij momenti, pas diskutimeve
në "St James' Park", skuadra reagoi duke fituar 14 ndeshjet e mbetura dhe mbrojtur titullin kampion me vetëm 1 pikë diferencë nga rivalët e Liverpulit. Guardiola shpreson që kjo mbledhje të ketë të njëjtin efekt përpara se Mançester Siti të përballet me Realin e
Madridit në Champions, në raundin e 1/8-ave këtë muaj. Siti nuk është kualifikuar kurrë përtej çerekfinaleve me katalanasin në stol dhe lojtarët janë të shqetësuar se ndryshimet e tij të vazhdueshme në personel mund të dëmtojnë shanset e tyre
për trofe këtë sezon. Pep i ka bërë 76 ndryshime formacionit të tij në Premier Ligë këtë sezon, më shumë se çdo trajner tjetër. Pas tij renditet Lampard (60 ndryshime te Çelsi), Klop (46), Roxhers (44). Kris Uajldër i Shefilldit ka bërë më pak nga të gjithë (30).