Panorama Sport (Albania)

Notat e skuadrave

-

Kukësi 8 - Quajeni skuadra e ndeshjeve të mëdha. Kukësi ia ka marrë dorën Partizanit këtë sezon. Të besuarit e Shpëtim Duros nuk gabojnë as ndaj kampionëve në fuqi. Pas atij hapi fals në Gjirokastë­r, vjen menjëherë reagimi dhe pikërisht në momentin e duhur ndaj një rivali. Fitorja merr më shumë vlera edhe për faktin se Kukësi ruan kreun dhe i fut në krizë të kuqtë. Katërshja e sulmit, me Rrocën, Gavazajn, Abazajn dhe Shkurtajn konfirmuan edhe një herë se bëjnë diferencën.

Tirana 8 - Pesë fitore radhazi me Emanuel Egbonë në stol dhe një "makineri" golash. Bardheblut­ë po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe janë kërcënuesi më i madh i Kukësit. Atë që nuk e bënë veriorët javën e kaluar, Tirana e zgjidhi që në pjesën e parë ndaj Luftëtarit. Idriz Batha ndëshkoi skuadrën e vendlindje­s me dy gola, ndërsa shënuan nga një herë secili edhe Kobinah, Ngo dhe Muçi me penallti.

Teuta 7 - Një supergol, tri pikë dhe për më tepër ngjitje në vendin e tretë. Durrsakët ishin pragmatist­ë ndaj Bylisit, edhe pse vuajtën jo pak për të mbajtur portën të paprekur. Perla e Lorenco Vilës u shoqërua edhe me një ditë fantastike të portierit Frashëri, që evitoi gola të sigurt në të paktën katër raste të ballshiotë­ve.

Skënderbeu 7 - Nuk u shmanget dot oshilacion­eve në lojë, pasi ka limite si skuadër. Nëse ndaj Partizanit bëri spektakël, me vlonjatët e vendit të fundit duhet të priste minutën e 90-të për të shënuar. Goli i Dejvi Bregut i dha Skënderbeu­t triumfin e dytë radhazi.

Laçi 6 - Kurbinasit morën një pikë në Shkodër, por nuk meritonin më shumë se kaq, edhe pse i patën rastet për të goditur Vllazninë. Nuabueze & CO nuk kishin shënjestrë­n e duhur, por barazimi në "Loro Boriçi" ishte rezultat pozitiv për mënyrën se si rrodhi loja.

Vllaznia 5.5 - Bën një lojë bindëse në pjesën më të madhe të 90-minutëshit, godet shtyllën dhe krijon disa raste për gol, por sërish finalizimi është problem. Sulmuesi maqedonas, Hristov, është larg pritshmëri­ve dhe skuadra pret ndonjë shpikje të Likës apo Shtubinës.

Bylisi 4 - Luan për gjithçka në Durrës, por e ndëshkon supergoli i Lorenco Vilës dhe arbitri Laver Alla. Megjithatë, edhe pse pëson humbjen e dytë radhazi, ballshiotë­t bindën me paraqitjen.

Partizani 4 - Me mungesa të shumta dhe shpesh një ekip i limituar, pavarësish­t se krijoi raste për shënim. Sulmuesit po kalojnë një formë të dobët, ndërsa tashmë fut shpesh "ujë" edhe mbrojtja. Pas humbjes me Kukësin janë vetëm një pikë më shumë nga zona "play-out".

Flamurtari 4 - Reziston deri në minutën e 90-të, por pëson një gol naiv prej mungesës së përqendrim­it dhe një mbrojtjeje të dobët. Shpresat për mbijetesë po shkojnë nga ndeshja në ndeshje drejt shuarjes.

Luftëtari 4 - Shthuret ndaj Tiranës dhe "tradhtohet" nga mbrojtësit, veçanërish­t nga kapiteni Demo, që bën gabime trashanike gjatë lojës. Pësimi i shpejtë i golit e rëndoi shumë ekipin bluzi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania