Panorama Sport (Albania)

Shfryn Dibala, gol dhe polemikë

Driblim dhe parabolë "alla Toti", por sulmuesi nuk feston dhe tregon emrin në fanellë

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Sigurisht që Juventusi nuk kishte nevojë për trajner (Mauricio Sarri nuk udhëtoi me skuadrën në Trieste, pasi u bllokua nga një virozë gripale) për të fituar miqësoren me Triestinën, por as për Kristiano Ronaldon, i cili qëndroi në "Kontinaza", duke u stërvitur nën shoqërinë e djalit të tij, Kristianin­jo. "Zonja e Vjetër", pavarësish­t këtyre problemeve që patën bllokuar dy liderët më të mëdhenj të skuadrës, mund të jetë më në fund e lumtur, pasi kanë rigjetur një futbollist që i mungonte prej kohësh. Zërat e merkatos mund ta kenë nervozuar vërtet, por ndoshta kjo ka qenë gjëja më e mirë që mund t'i ndodhte Paulo Dibalës për t'u zgjuar. Teksa ndeshja e djeshme nisi me koret e tifozërisë së Triestes, "Paulo, qëndro me ne", argjentina­si iu përgjigj me një gol kryevepër, i cili vendosi dhe mjaftoi për të fituar 1-0 testin e fundit të kësaj vere, përpara debutimit në Serinë A, më 24 gusht, në orën 18:00, në transfertë ndaj Parmës. Dibala, i cili as që ka ndërmend të marrë parasysh apo të pranojë ndonjë opsion tjetër përveçse atij për të qëndruar me ngjyrat bardhezi, jo vetëm që ka rigjetur ritmin e kohëve të arta, por goli i djeshëm ishte edhe një polemikë e hapur

ndaj drejtuesve, që menduan dhe mendojnë ende ta shesin, për të arkëtuar një shumë prej 80-100 milionë eurosh. Në minutën e 38-të, Dibala merr një asist në qendër të zonës, por ndërsa i ndërron me finte drejtimin topit, duke nxjerrë blof mbrojtësin që

kishte përballë, e sjell sferën në këmbën e preferuar, por në vend të goditjes së fortë, ofron në mënyrë surprizë një parabolë "alla Toti", që e lë të ngrirë portierin kundërshta­r. Ovacionet janë të gjitha për të, por festimi i zgjedhur foli qartë: asnjë buzëqeshje,

fytyrë e ngrirë dhe ngriti spaletet e bluzës, duke i treguar tribunës VIP emrin dhe numrin e tij. Dhe nuk ka rëndësi nëse në pjesën e dytë humbet një penallti që mund të dërgonte shifrat në 2-0, pasi ajo që po tregon së fundmi në fushë Paulo (dopietë

tri ditë më parë në miqësoren e "Villar Perosas"), konfirmon se "xhevahiri" bardhezi është kthyer. Dibala i vërtetë është kthyer dhe ndoshta mund të jetë pikërisht ai që duan të shesin me çdo kusht, "arma" e frikshme edhe për Champions-in.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania