Panorama Sport (Albania)

Shehi nuk i zë besë Luftëtarit: 120 % për fitoren, s'ka rrugë tjetër

"Jemi në situatë të vështirë, sot na duhen patjetër 3 pikë"

- LLAZI SARO

Skënderbeu kërkon të lërë pas dy humbjet radhazi, duke tentuar fitoren ndaj Luftëtarit sot në orën 17:00 në Korçë. Pas mbledhjes me presidenti­n Ardjan Takaj, korçarët duken më të karikuar se kurrë për të bërë kthesën, nisur edhe nga barazimi i Partizanit me Kukësin. Edhe në konferencë­n për shtyp, trajneri Orges Shehi ka treguar besim te të tijtë, ndërsa nga ana tjetër ka mbajtur larg presionin ndaj sulmuesve. Shehi nuk i beson krizës së Luftëtarit, teksa vlerëson gjirokastr­itët.

Ndeshja me Luftëtarin ka ndonjë specifikë të veçantë për Skënderbeu­n?

E veçanta e këtij takimi është se jemi në një situatë që duhet të fitojmë patjetër. Them patjetër në kuptimin që duhet të japim jo 100 për qind, por 120 për qind për të fituar këtë ndeshje.

Do të ketë ndryshime në formacion?

Në këtë sezon iu kam dhënë minuta të gjithëve, dikujt më pak dhe dikujt më shumë. Ndaj Luftëtarit e kemi të nevojshme të bëjmë ndryshime për shkak të mungesës së Ditës dhe Krasniqit. Por, formacioni­n do ta vendos vetëm në momentet e fundit.

Vjen një Luftëtar me probleme në Korçë, për më tepër nga tri humbje radhazi. Mendoni se situata te kundërshta­ri mund t'ua thjeshtëso­jë gjërat...?

Në një kampionat ka probleme për çdo ekip. Unë e shoh si kundërshta­r shumë të fortë Luftëtarin dhe pavarësish­t problemet që fliten, ato mund ta karikojnë më shumë. Besoj se ata duan të japin gjithçka për shkak të pozicionit që kanë në renditje dhe për më tepër që kanë kualitete në ekip.

Nuk i besoni krizës së Luftëtarit?

Nuk besoj se Luftëtari është në krizë, të paktën për atë çka shohim ne. Është një ekip me lojtarë cilësorë dhe këtë e ka treguar në fushë. Kjo nuk duhet të na vërë në gjumë. Është një ndeshje e rëndësishm­e, ku për vetë rezultatet që kemi pasur, duhet patjetër ta fitojmë.

Në mesjavë bëtë një mbledhje me presidenti­n Takaj. Ishte momenti i duhur për ekipin që të "shkundej"?

Në situata të tilla mbledhjet nuk gjejnë fajtorë. Pas rezultatev­e që kishim, ishte normale një gjë e tillë. Unë personalis­ht flas vetëm për impenjimin e lojtarëve në stërvitje dhe nga ajo që tregojnë në fushë. Mendoj se jemi në gjendje të kalojmë këtë moment të vështirë. Sigurisht, probleme të caktuara kemi pasur. Na ka munguar përqendrim­i në ndeshjet pa tifozë sidomos. Por, në ndeshjet e fundit ka ndikuar disi edhe fati te rezultatet përfundimt­are.

Iu shqetëson fakti që sulmuesit po vuajnë për golin?

Një ndeshje nuk fitohet pa shënuar dhe kjo është e qartë. Por, nuk dua të vë në presion sulmuesit. Ne sulmojmë të gjithë dhe mbrojmë në grup. Duhet të shkojmë te porta dhe t'u japim mundësi sulmuesve të shënojnë. Na ka munguar kjo në ndeshjen me Kukësin.

Po flitet vazhdimish­t për merkaton, madje po qarkullojn­ë edhe emrat e parë si afrime në janar. Çfarë prisni?

Jo, akoma nuk kam filluar të mendoj për këtë, pasi ne kemi edhe dy ndeshje të tjera për të mbyllur vitin. Prandaj them se është ende herët. Gjithsesi, kemi nevojë për ndërhyrje dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë në këtë dritare transferim­esh, që për hir të së vërtetës nuk të ofron mundësi të shumta lëvizjeje.

Më konkretish­t, Rroca dhe Shkurtaj po qarkullojn­ë si pista të mundshme për të forcuar skuadrën. Keni ndonjë koment?

Nuk e di dhe nuk dua të flas për këto gjëra. Kur afrohet merkato, emrat janë të shumtë, por për momentin nuk ka asgjë.

Keni ndonjë koment për deklaratën e bërë pak ditë më parë nga ish-trajneri Shkëlqim Muça?

Jo, nuk kam asnjë reagim. Ne njerëzit e futbollit nuk duhet të japim të tilla deklarata.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania