Alla: Në Vlorë jam më i qetë se në Kukës, kapim Europën
Flamurtari/ Mbrojtësi: Mundim Partizanin, na mungon Kale
Albi Alla “arkivon” dëmtimin. Pas dy muajve jashtë fushe, qendërmbrojtësi është gati që të japë maksimumin për Flamurtarin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 25vjeçari analizon ecurinë dhe flet për objektivat, ndërsa me bindje e thotë që Europa është e arritshme. Ndaj Partizanit llogarit vetëm fitoren, ndërsa thekson se mungesa më e madhe që ekipi ka është ajo e Elton Kalesë. Pogradecari zbulon edhe një detaj për ardhjen e brazilianit te Kukësi, për të cilin ka bërë “shkesin”. Flamurtari nuk ruan dot vazhdimësinë, pse kaq shumë oshilacione gjatë kësaj periudhe?
Mendoj se mungesat kanë bërë të vetën, pasi rrugës na janë dëmtuar edhe lojtarë të tjerë, si Alvesh apo edhe Torasa, i cili duhet thënë që gjatë kësaj periudhë po sakrifikon duke luajtur. Na mungon edhe Kale. Besoj se kjo ndodh ngaqë ekipi është i ndarë në dy pjesë. Ka lojtarë me eksperiencë të gjatë në Superiore, por edhe të rinj që përtej cilësisë dhe kualitetit të madh, nuk kanë akoma atë përvojën për të mbajtur ekuilibrat e një kampionati dhe të kenë vazhdimësinë gjatë një sezoni. Pse ndëshkoheni kaq kollaj në fund, rasti konkret ndaj Skënderbeut?
Besoj se në Korçë gjithçka shkoi mirë. Në pjesën e parë zhvilluam një ndeshje pozitive, por na u anulua një gol që ishte shumë i rregullt, siç shikohet edhe nga pamjet filmike. Ishte një derbi, ku nuk mungoi futbolli i bukur dhe në fund mund të fitonim si ne ashtu edhe ata, por më i drejtë do të ishte barazimi. Për ndeshjen e radhës me Partizanin ka kohë të mjaftueshme, çfarë prisni nga ky takim?
Po përgatitemi dhe po analizojmë gabimet tona. Po shikojmë t’i rikuperojmë që të mos kemi të njëjtat defekte edhe në këtë ndeshje. Është një përballje e fortë dhe shpresojmë që të marrim tri pikët, sepse do të jemi edhe më të qetë në vazhdimësi. Ne të gjitha ndeshjet i kemi për fitore. Kemi në Shqipëri ekipe që kanë tradita dhe janë të mëdha. Nuk mund të futesh me një filozofi që na bën punë edhe kjo pika. Matematika bëhet në fund, jo tani. Ne në çdo ndeshje jemi për të marrë tri pikët. Riktheheni pas dëmtimit të gjatë prej dy muajsh, jeni rikuperuar plotësisht? Jam akoma në një fazë rikuperimi, pasi dy muaj jashtë fushave nuk janë pak. Por mundohem që të gjej veten, pasi dëmtimi erdhi në një moment që kisha një ritëm të mirë. Kisha ardhur edhe nga ndeshjet në Europë me Kukësin dhe isha i përgatitur, pasi nuk kisha pushim si kishin lojtarët e tjerë, por brenda në sport ndodhin edhe këto.
Te Kukësi apo Flamurtari, ku ndiheni më mirë?
Nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh, pasi ne kudo që shkojmë mundohemi që të bëjmë punën tonë. Por, Flamurtari dhe Vlora në përgjithësi është një qytet që të ofron pjesën e qetësisë. Është një vend i vogël dhe i përkushtohesh më shumë stërvitjes. Jeton me frymën e ekipit gjithë ditën, pasi edhe me djemtë e ekipit gjithë kohës je bashkë, i takon, flet dhe bisedon gjatë ditës. Një gjë që në Tiranë nuk ndodh tek ekipet, pasi Tirana është e madhe dhe të merr rutina, nuk është aq e lehtë që të takohesh çdo ditë me djemtë e ekipit.
Jeni bërë pishman që keni ikur nga Kukësi?
Jo, nuk jam bërë pishman. Është një eksperiencë e re. Siç e thashë, më pëlqen Vlora dhe ambienti këtu. Flamurtari është emër i madh i futbollit, ka traditë dhe fanellë të rëndë. Unë nuk kam jetuar dhe nuk jam rritur në Shqipëri, por Flamurtari është ndër të vetmet ekipe që e njohin edhe jashtë vendit tonë. Edhe në Greqi, Flamurtari njihet si ekip i madh.
Me Kalenë keni qenë edhe te Kukësi, sa e njihni?
Me Kalenë kemi qenë edhe në Greqi te Ergotelis. (Qesh) Jemi bashkë në tri ekipe. Do na bëjë shumë punë Kale, pasi lojtarët si ai në tregun shqiptar janë shumë pak. Është një lojtar me cilësi, një fantazist i mirëfilltë. Edhe te Kukësi që ka ardhur, Kale me këtë mendim ka ardhur. Unë jam pyetur që të vinte Kale në Shqipëri. Na mungon. Është një lojtar që mund ta zgjidhë lojën, mund të prodhojë, mund të bëjë gol. Një numër “10” na mungon shumë, një si ai do i shërbente shumë edhe Bushiçit që është përpara.
Çfarë i premtoni Flamurtarit?
Premtoj të jap më të mirën, të rritem edhe unë. Të gjej veten time dhe të kemi një vazhdimësi që të arrijmë objektivat tona të klubit.
Europa, mision i arritshëm? Unë besoj se do ta arrijmë. Kemi forcat, kapacitetet dhe të gjitha mundësitë për të shkuar në Europë. Ermal Sika