Nako: Ja pse vendosa të rikthehem tek Apolonia
Fierakët përforcohen ndjeshëm me synim ngjitjen në elitë, priten firmat e Harizajt e Priftit
Rudin Nako rikthehet pas gati 3 vjetësh në Fier, për të qenë pjesë e Apolonisë për sezonin 2018-2019. Qendërmbrojtësi ka shkëputur marrëdhëniet me Egnatian e Rrogozhinës, me të cilën luajti edicionin e fundit dhe, ndonëse ka pasur disa oferta, ka nënshkruar 2 vjet për Apoloninë e Fierit. Është një nga afrimet më cilësore të skuadrës së trajnerit Miho, një pikë e fortë në "zemrën" e prapavijës fierake. Në deklarimin e tij të parë pas nënshkrimit, Nako shpreh vlerësimin për periudhën që ka kaluar tek Egnatia, sikurse e cilëson si zgjedhjen e duhur në kohën e duhur rikthimin tek Apolonia. "Ndihem i lumtur që jam rikthyer në Fier, te skuadra e zemrës sime, Apolonia. Kam marrë vendimin e duhur dhe nuk pendohem për këtë zgjedhje, sepse shoh që këtë sezon skuadra po përgatitet për synime vërtet madhore dhe serioze. Veç kësaj, duhet të shpreh fjalët më të mira për përvojën që kalova tek Egnatia, një klub për të cilin ndaj respekt të plotë që nga kreu i bashkisë, stafin teknik, futbollistët dhe tifozët e qytetit. Ka qenë një ndarje me mirëkuptim dhe gëzoj përshtypjet më pozitive për periudhën që kam kaluar atje", thotë mes të tjerash mbrojtësi fierak.
Firmat - Kujtojmë se veç Nakos, për Apoloninë kanë nënshkruar edhe mesfushori Hidershaha, ardhur nga Albpetroli, dhe mbrojtësi Buzi, ardhur nga Bylis, ndërkohë që këto ditë pritet të nënshkruajnë dhe portieri Harizaj dhe mbrojtësi Andi Prifti, që do të rikthehen në Fier pasi janë aktivizuar në Patos me Albpetrolin. Të dy futbollistët kanë qenë jashtë Shqipërisë dhe firma e tyre është formalitet me mbërritjen në Fier. Apolonia e sezonit të ardhshëm do të jetë një skuadër e fortë, që do të rivalizojë për ngjitjen në Kategorinë Superiore edhe pse gara do të jetë e vështirë. Drejtuesit i besuan stolin pak ditë më parë trajnerit Miho. Bujar Rama