Venger: Murinjo do luajë futboll, nuk parkon autobusin
Junajtid, vetëm 1 gol në 7 transfertat ndaj “top 6”
Arsen Venger nuk pret nga rivali i tij Zhoze Murinjo që të parkojë autobusin, kur Mançester Junajtid të vizitojë "Emirates" të shtunën. Të dyja skuadrat vijnë në këtë takim pas 3 fitoreve radhazi në kampionat, me "djajtë" që renditen 4 pikë dhe 2 pozicione mbi "topçinjtë". Junajtid do të kërkojë fitoren e parë në 8 ndeshjet e fundit përballë rivaleve të 6 vendeve të para në transfertë, por Murinjo ka një bilanc prej 3 barazimesh dhe 4 humbjesh me skuadrat e kreut jashtë fushe, ku ka shënuar vetëm një gol. E, megjithatë, Venger nuk pret një qasje negative kundër skuadrës së tij. Kur në konferencën e djeshme e pyetën a pret nga Mou që të "parkojë autobusin", francezi u përgjigj: "Jo, nuk pres asgjë të tillë. Unë vetëm pres nga skuadra ime që të jetë gati për të rifituar energjitë. Junajtid është një skuadër e fortë dhe unë pres nga ne që të dimë t'i përballojmë problemet që ata mund të na hapin. Ata do të na sulmojnë gjithashtu, nuk do vijnë vetëm për t'u mbrojtur. Junajtid po luan mirë për momentin, kështu që pritet një ndeshje premtuese". Venger u mjaftua vetëm një "dua të përqendrohem tek ekipi im" kur u pyet për rivalitetin e tij me menaxherin e Junajtid. Në fakt, francezi e prishi mallkimin përballë armikut të tij të betuar kur Arsenali e mundi Junajtid 2-0 në "Emirates" në maj, e cila ishte edhe fitorja e parë e Vengerit përballë Murinjos në 13 tentativa.
DËMTIMET - Venger ka disa shqetësime në lidhje me kontingjentin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për nesër. Ashtu siç ai konfirmoi pas fitores ndaj Hadërsfilldit,
Aleksandre Lakazet do të mungojë në sulm, pas shqetësimit muskulor në ijë që ndjeu gjatë ndeshjes së të mërkurës. Dilema e madhe është Aleksis Sançez, i cili u zëvendësua gjithashtu më vonë gjatë ndeshjes, sepse edhe ai ndjeu një tërheqje muskulore. Por Arsenali shpreson që kilianin ta ketë të disponueshëm, ndërsa Zhiru, i cili pritet të zëvendësojë Lakazetin, do të jetë titullar për herë të parë në kampionat këtë sezon. "Sançez pati një tërheqje të vogël, prandaj e zëvendësova. Por mendoj se do të jetë gati. Por ju e dini që ne kemi armë të fuqishme në sulm. Kemi Zhiruinë dhe Uellbekun. Të shohim kush do të jetë në majën e sulmit, por idealja do ishte të kishim Lakazetin".