Tension te Dortmundi, shpërthen Bosh
Revoltohet trajneri holandez pas rezultateve të dobëta në javët e fundit të Bundesligës
Në prag të përballjes së javës së 14-të të Bundesligës, ku skuadra e Leverkusenit do ndeshet me atë të Dortmundit, trajneri i verdhezinjve, Peter Bosh, ka folur në konferencën për shtyp ku ka shpërthyer gjatë një pyetjeve nga gazetarët. Sa i përket kundërshtarëve të Leverkusenit, Bosh ka thënë: "Ata janë një prej skuadrave më të mira në Bundesligë, ndaj nuk do ta kemi dhe aq të lehtë përballjen me ta." Më tej, trajneri i Dortmundit është pyetur lidhur me përballjen me Shalken, ku Bosh ka shtuar: "Sfida me Shalken ka qenë shokuese për ne dhe për tifozët tanë. Jemi përpjekur të analizojmë shkaqet për të parë ku duhet të përmirësohemi." Gjatë kësaj konference, një prej gazetarëve e pyet trajnerin Bosh për të ardhmen te Dortmundi dhe sa e beson ai faktin që do vazhdojë ta drejtojë këtë skuadër. Menjëherë pas kësaj pyetjeje, Bosh ka shpërthyer duke thënë: "Çfarë mendon se do them? Që prej formulimit të pyetjes, ti e bëre të qartë përgjigjen. Pa dyshim që mendoj se do vazhdoj të drejtoj këtë skuadër. Por më e rëndësishmja është të fitojmë në përballjen e radhës." Më tej, trajneri Peter Bosh është pyetur për rrezikun e largimit dhe ai u përgjigj: "Normalisht që diçka e tillë mund të ndodhë. Asgjë nuk është e garantuar. Por fokusi im mbetet puna që duhet të bëj për ta ringritur skuadrën." Tekniku holandez ka vlerësuar skuadrën në stërvitjen e përfunduar të ditës së enjte duke thënë: "Pas problemeve me Shalken, skuadra ka shfaqur një formë shumë të mirë në stërvitje dhe jam i lumtur me këtë pjesë."