Tirana, kthesë me “ndëshkime”
Halili dhe Çelhaka “thyejnë” për 14 minuta Apoloninë, shtyllat evitojnë goleadën
Fiton Tirana, "thyen" Apoloninë për 14 minuta. Por më shumë se kthesa, surprizën më të madhe e bëri Ze Maria me ndryshimet në formacion. Gjatë gjithë javës ishte shfaqur misterioz, duke paralajmëruar një revolucion të mundshëm. Dhe kështu ngjau pasi dje la në stol tre titullarë të padiktueshëm, si Asion Daja, Dorian Kërçiku dhe Majkëll Ngoo. Vendimi ishte plotësisht teknik dhe ekskluziv i trajnerit, që dje u besoi emrave, si Cake, Çelhaka, Halili e Greca. Lëvizjet që mund të quhen efikase, pasi në fund të fundit golat erdhën prej dy lojtarëve të përfshirë në 11- she. Halili dhe Çelhaka menduan që të vulosnin suksesin, ndërsa goleada u shmang prej tri... shtyllave. Edhe pse në lojë nuk është se shkëlqyen, duhet thënë që as nuk e diskutuan marrjen e pikëve të plota, pasi përballë kishin një kundërshtar që nuk i vendosi shumë në vështirësi.
PJESA E PARË - Apolonia e nis vrullshëm lojën, duke u munduar që të ushtojë presion në mesfushë. E megjithatë, rastet më të rrezikshme mbanin "firmën" e Tiranës, e cila që në të 8-ën mund të gjente avantazhin, nëse gjuajtja e Çelhakës nuk do të përplasej në shtyllën e mbrojtur prej portierit Çako. Bardheblutë shfaqën hapur dominancën e tyre, por nuk kishin saktësinë e duhur në finalizim. Në të 25-ën, Halili jep një top perfekt për Grecën, ky i fundit shërben shkurt për Çelhakën për të shmangur pozicionin jashtë loje, por kavajasi e çon topin vetëm në duart e portierit. Pa kaluar dy minuta, Tirana gjen qetësinë prej Halilit dhe jo atij të tribunave, por atij në fushë. Greca pason për Çelhakën, ky i fundit shërben te Halili, që i ndodhur brenda zonës, nuk e ka të vështirë të shënojë me të djathtën e të zhbllokojë shifrat në 1- 0. Apolonia nuk gjen dot veten në fushë, madje të parin dhe të vetmin rast të rrezikshëm e kanë në të 36-ën me Krasniqin. Sulmuesi ekzekuton një goditje dënimi në distancë, por Lika kontrollon gjithçka dhe ruan të paprekur portën. Kur po afrohej fundi i kësaj pjese, në të 41- ën konkretisht, bardheblutë shënojnë golin e sigurisë. Sentamu merr një top në qendër të mesfushës dhe shërben për Çelhakën, që i pashqetësuar nga mbrojtja mike, galopon drejt zonës dhe më pas s'e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë.
PJESA E DYTË - Loja rinis pa ndryshime në formacionet respektive dhe me Apoloninë që mundohet të bëjë diçka. Në të 47-ën është sërish Krasniqi që rrezikon, por mendon Lika që të neutralizojë rrezikun me këmbë. Pas 9 minutash përgjigjen bardheblutë, por Sentamu
bën më të vështirën, duke e dërguar topin larg kuadratit, edhe pse ishte në një pozicion të prirët. Insistimi i bardhebluve për të thelluar shifrat nuk është se mungon, madje Karabecit i ikën shansi vetëm pasi topi i tij devijohet nga portieri, përplaset
edhe në tra. Ze Maria bën lëvizjen e parë dhe fut në fushë Ngoonë, që në të 67ën kombinohet mirë me Halilin. Ky i fundit shërben për Grecën, që nuk arrin dot të devijojë. Dhjetëminutëshi i fundit "trondit" sërish shtyllat, në të 85-ën është Sentamu
me një "predhë" nga 23 metra distancë dhe pas një minute Dimo nga 16 metra, por këtë herë topi, pasi përplaset në traun pingul, devijohet me gjoks prej Likës. Si përfundim, bardheblutë sigurojnë një trepikësh të artë, që i jep mundësinë të blindojë
kreun e grupit B dhe shtruar rrugën drejt Kategorisë Superiore. Apolonia, nga ana tjetër, nuk kishte forcën që t'u shkaktonte bardhebluve humbjen e dytë sezonale, por gjithsesi mbetet e pesta dhe rrjedhimisht brenda objektivave.