Luftëtari, dështon faza përgatitore në Austri
Shtyrja e vendimit të Komisionit të Etikës për më datë 23 qershor duket se ka prishur programin e drejtuesve të Luftëtarit. Ata ishin përgatitur që dje të nisin stërvitjen, por pas njoftimit të FSHFsë planet ndryshuan. Të gjithë tashmë mbeten në pritje të një urdhri të dytë, sa i takon grumbullimit, por deri më tani askush nuk jep dot një përgjigje të saktë. Kësisoj, bluzinjtë mbeten në "udhëkryq". Të kushtëzuar nga "zvarritja" e vendimit, faza përgatitore ka dështuar. Klubi kishte menduar që skuadra të akomodohej në Austri për një fazë më të specializuar, një gjë e tillë ka pak mundësi për t'u bërë realitet. Burime për "Panorama Sport" bëjnë të ditur se Luftëtari i sezonit të ardhshëm do të formatohet mbi ruajtjen e "bërthamës" së ekipit që mbylli sezonin e fundit, duke mos përjashtuar afrimin e lojtarëve cilësorë për çdo repart. Një tjetër temë "e nxehtë", që duket se ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, është ajo e trajnerit. Mlladen Milinkoviçit i ka "skaduar" kontrata, por tashmë duhet që të vendosë nëse do të rinovojë apo jo, duke qenë se në marrëveshje e ka 1+1. Ai nuk ka vendosur ende dhe ky është një tjetër "ngërç" që kërkon zgjidhje. Aftësitë e 49-vjeçarit kanë bërë që drejtuesit të lëvizin çdo "gurë" për ta blinduar serbin dhe një gjë të tillë e ka pat thënë herët edhe presidenti. "Luftëtari ka në krye të tij një staf të aftë, tek i cili asnjëherë nuk kam ndërhyrë në formacion. E respektoj për vendimet që merr, ndaj dhe do të ketë mbështetjen time", ka deklaruar Grigor Tavo Milinkoviçin. Tomor Shehu