Berisha dhe lista e “non grata”, Grenell përfshin Soros dhe akuzon Blinken: Po sulmohen të djathtët
ISH-DIPLOMATI, KUNDER SEKRETARIT TE SHTETIT: NE SI SHBA E DENOJME PERNDJEKJEN E KUNDERSHTARIT
Ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka kritikuar mënyrën si Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, po e përdor programin e ndalimit të vizave si një armë kundër të djathtëve në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Konferencën e Konservatorëve, Grenell solli shembullin e Shqipërisë, ku Blinken pak kohë më parë shpalli “non grata” ish-Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën dhe familjen e tij. Sipas Grenell, kjo politikë e ndalimit të disa personave të djathtë të hyjnë në SHBA është e qëllimtë. Ai shprehet se veprime të tilla, si këto që ka ndërmarrë Sekretari Blinken, dënohen në Departamentin e Shtetit dhe se nuk mund të ndodhin në një vend ku pretendohet se ka demokraci. “Kur vendet e tjera përdorin qeverinë si armë, kur përndjekin kundërshtarët politikë, kur mundohen të mposhtin kundërshtarin e tyre, që sapo e demokracinë. Nëse përndjek kundërshtarin, nëse përdor gjyqësorin, nëse përdor median për të përndjekur kundërshtarin, ne e denoncojmë në DASH. Ne kemi një Sekretar Shteti tani që po përdor si armë programin e vizave dhe të udhëtimit që lejon njerëzit të vijnë në SHBA. Më lejoni të jap një shembull. Disa muaj më parë, krejt papritur, Sekretari i Shtetit lëshoi disa deklarata për median, duke ndaluar disa shqiptarë që të hyjnë në vend. Pyeta veten, nga doli kjo? Papritur po u shkojmë pas shqiptarëve dhe më pas bullgarëve? Kërkova dhe janë të gjithë të djathtë në këto vende, që ndoshta po mendonin të garonin dhe riktheheshin sërish dhe tani u ndalohet që të hyjnë në SHBA dhe po u vendosen nga këto ‘sanksionet’ amerikane. Është një gjë e tmerrshme për këtë vend”, është shprehur Grenell. Berisha “non grata” Më 19 maj të këtij viti ish-Presidenti Sali Berisha dhe familja u shpallën “non grata” nga SHBA. Në një mesazh në “Twitter”, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkruan se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe iu ndalohet hyrja në vend. “Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkroi Sekretari amerikan i Shtetit. Ndërkohë, nga ana tjetër, ishKryeministri demokrat fillimisht kërkoi prova për akuzat që ngriheshin mbi të dhe njëkohësisht ngriti një padi ndaj personit të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, për shpifje në shtetin e Francës.