Futbolli ikën nga shtëpia, italianët kampionë në “Wembley”
Donaruma hero, të kaltrit bëjnë të qajnë vendësit
Italia është kampione e Europës. Skuadra e Mançinit triumfoi pas 120 minutash lojë kundër Anglisë në stadiumin “Wembley”, teksa koha e rregullt dhe më pas shtesat u mbyllën në barazim 1-1.
Ljuk Shou kaloi vendësit në avantazh që në minutën e dytë, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe u duk se Italia do të vuante shumë në këtë finale, por me kalimin e minutave “Axurrët” rivendosën balancat në fushë. Manovra e Sauthgejtit për të luajtur me tre mbrojtës fillimisht, duke preferuar Tripierin në vend të Sakës, funksionoi vetëm në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë të lojës Italia nisi të ushtronte shumë presion duke e detyruar Anglinë të mbrohej shumë afër zonës. Në minutën e 67-të Bonuçi shënon një gol me dhunë dhe barazon ndeshjen. Pas tentativës së Verratit me kokë, topi fillimisht u përplas në shtyllë, teksa Bonuçi ndoqi mjaft bukur aksionin duke mposhtur portierin Pikford. Skuadrat më pas e kërkuan me shumë kujdes golin, por portat mbetën të paprekura deri në fund. Te pika e bardhë e penalltive Donaruma bëri heroin teksa priti dy penallti të Sakës dhe Sanços, ndërsa Rashford goditi shtyllën pingule. Interesant është fakti që trajneri Sauthgejt futi 3 lojtarë në pjesën e dytë enkas për penalltitë dhe pikërisht ata i humbën ato: Saka, Rashford dhe Sanço. Ky është Europiani i dytë që fiton Italia në historinë e saj, pas triumfit në vitin largët 1968. PREMIO REKORD Është 331 milionë euro çmimi total që UEFA po përgatitet për të shpërndarë mes kombëtareve që kanë marrë pjesë në “Euro 2020”. Pavarësisht pandemisë, bëhet fjalë për një rritje krahasuar me 2016-ën, kur kanë qenë 301 milionë.
ITALIA DHE TË MËDHATË – Kualifikimi ka vlejtur 9.25 milionë, çdo fitore në fazën e grupeve 1 milion, kalimi në 1/8-at 1.5 milionë, çerekfinalet 2.5 milionë, gjysmëfinalet 4 milionë, ndërsa faza finale 5 milionë; ndërkohë që për atë që ngre trofeun janë parashikuar 3 milionë të tjerë. Italia në total ka arkëtuar 28.25 milionë euro, ndërsa rrugëtimi i Anglisë drejt finales i ka lejuar Federatës që të arkëtojë rreth 30 milionë euro. Në 2016-ën Portugalia duke triumfuar arkëtoi 25.5 milionë, por këtë herë luzitanët, po ashtu si finalistja tjetër e atij viti (Franca) dhe Gjermania, janë ndër kombëtaret që kanë arkëtuar më pak, duke konsideruar skuadrat që kanë kaluar grupet: 12.5 milionë për Gjermaninë dhe Portugalinë (po ashtu si Kroacia dhe Uellsi), 12.75 milionë për Francën (si Suedia dhe Austria), me Holandën pak më përpara me 13.75 milionë.
TË TJERAT – Ndërsa mes skuadrave të eliminuara në çerekfinale, Belgjika ka marrë 16.25 milionë, krahasuar me 14.25 milionët e Ukrainës dhe 14.75 milionët e Zvicrës dhe Republikës Çeke. Danimarka ndërkohë preu një çek prej 18.25 milionësh, një më pak se gjysmëfinalistja tjetër, gjithashtu e mposhtur, Spanja (19.25 milionë).
PARA EDHE PËR KLUBET – Buzëqeshin pra federatat, por edhe klubet. UEFA në fakt ka garantuar një total prej 130 milionë eurosh për klubet që u kanë dhënë lojtarë kombëtareve për Europianin, në bazë të numrit të ditëve që kanë kaluar në gatishmëri të trajnerëve të përfaqësueseve: mes skuadrave me më shumë të grumbulluar janë Mançester Siti, Çelsi, Juventusi, Atalanta dhe Interi.