Kryeministri Kurti, në tryezë të rrumbullakët me qeverinë e Greqisë
Me ftesë të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me qeverinë e Greqisë, në Athinë. Në këtë tryezë, të 25-tën me radhë, organizuar nga qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” po marrin pjesë kryeministra e ministra të vendeve të ndryshme, zyrtarë qeveritarë, vendimmarrës, drejtues të korporatave dhe akademikë. Me temën “Nga distancimi social te solidariteti social”, kjo tryezë është hapësirë për dialog mbi çështjet që përcaktojnë botën, bazuar në përvojat e shteteve në ballafaqim me pandeminë COVID-19 dhe përpjekjet e përbashkëta për shoqëri më të qëndrueshme e më të barabarta.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Greqisë janë përmirësuar ndjeshëm gjatë kohëve të fundit, edhe me hapjen e një zyre ndërlidhëse në Prishtinë, dhe me vizitat e ministrit të Jashtëm të Greqisë në Kosovë. Greqia është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur ende shtetësinë e Kosovës. Por është e dukshme që marrëdhëniet nuk janë më si parë.
Ministri i Jashtëm të Greqisë ka nxitur reagime mediatike që paralajmërojnë se Greqia është drejt rrugës për të njohur pavarësinë e Kosovës. Përmirësimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe dy vizitat e ministrit të Jashtëm grek në Kosovë nuk mund të jenë pa një domethënie. Greqia bën pjesë në pesë vendet e BE-së që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Kryediplomati grek, Nikos Dendias, u pyet gjatë një interviste në një media greke, nëse vizitat e tij në Prishtinë dhe zgjerimi i zyrës ndërlidhëse, janë shenja se Greqia do ta njohë Kosovën. “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen europiane është kyç, pasi stabiliteti në këtë rajon ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë. Ne nuk duam një ‘vrimë të zezë’ në kufijtë tanë veriorë. Edhe pse qëndrimi ynë për ‘status quo’-n e Kosovës nuk ka ndryshuar, ne mbajmë qëndrim konstruktiv dhe përkrahim dialogun Beograd – Prishtinë”, tha Dendias. I pyetur nëse pavarësia e Kosovës nga Serbia përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, Dendias përmendi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, shpallja e pavarësimit të Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare.