Lajçak: S’ka asgjë teknike në bisedimet Kosovë-Serbi
Mbahet takimi Lajçak-Bislimi para bisedimeve politike me serbët
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, siguroi se “çdo gjë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thellësisht politike dhe asgjë nuk është teknike”.
Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin “Twitter” në fillim të takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili drejton delegacionin e Prishtinës që të mërkurën takohet me delegacionin e Beogradit për të përgatitur raundin e ri të bisedimeve në nivelin e lartë politik. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që pritet të takohen më vonë gjatë këtij muaji, u takuan për herë të parë në Bruksel me 15 qershor në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Nuk pati ndonjë përparim në takimin e parë përgjatë të cilit Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve katër propozime, përfshirë atë që “Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”. Më tej ai tha që pas njohjes së ndërsjellë, të dyja vendet duhet të zbatojnë reciprocitet dypalëshe, duke krijuar për serbët në Kosovë këshillin e tyre kombëtar siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Pala serbe refuzoi propozimet e Kryeministrit Kurti dhe Presidenti serb Vuçiç tha se zoti Kurti “erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”. “Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar shqiptarët, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai. “Asociacioni nuk është për serbët, por kundër Kosovës, ashtu siç është dizajnuar, pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë, nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Kurti.
Serbia vazhdon të kundërshtojë Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Europian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.