Në kërkim për trafik droge, kapet në Morinë shtetasi turk
KUKES - Një shtetas turk është arrestuar ditën e djeshme nga Policia Kufitare në Morinë, pasi ka rezultuar në sistem i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane. Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Kukësit, arrestimi i shtetasit me inicialet I. E., banues në Turqi, u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin e tij në shtetin gjerman. "Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: I. E, 42 vjeç, banues në Turqi. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani", thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kukësit. Ndërkohë, kanë bërë të ditur se autoritetet gjyqësore gjermane kanë caktuar ndaj 42vjeçarit turk masën e sigurisë "Arrest me burg", për kryerjen e veprës penale "Trafik droge", parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në "Konventën Europiane të Ekstradimit" të vitit 1957. Burimet nga Policia bënë të ditur se gjatë marrjes në pyetje, shtetasi turk është shprehur se po udhëtonte drejt Shqipërisë në rrugë tokësore me qëllim për të vizituar vendin tonë. Ndërsa ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se ishte person i shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane.