Shtëpitë para vitit ‘ 91, 30 ditë afat për tapitë
Apeli për regjistrimin e pronave dhe shtëpive para 1991. Kushtet që duhet të plotësojnë familjet për të marrë tapinë dhe afati për aplikimin në Hipotekë
E vetmja tarifë që do të rëndojë për qytetarët, të cilët banojnë në shtëpi të vjetra të ndërtuara para vitit 1991, do të jetë ajo për shërbimin.
Sipas vendimit të qeverisë, kalimi i pronësisë për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë do të bëhet pa pagesë. Fatura e vetme që do të paguhet nga qytetarët do të jetë tarifa e shërbimit, e cila është 8 mijë lekë për çdo kat banimi. “Kalimi i pronësisë së ndërtimit dhe truallit funksional, për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë, kryhet pa pagesë. Për procedurën e ndjekur, subjekti përfitues paguan për llogari të Kadastrës tarifën e shërbimit, në vlerën 8 000 lekë për çdo kat ndërtimi, e cila përdoret për të përballuar shpenzimet e evidentimit në terren dhe shpenzimet e tjera të procedurës administrative. Kjo tarifë i njoftohet përfituesit menjëherë pas përfundimit të periudhës së afishimit, nëse përmbushen kushtet për të përfituar kalimin e pronësisë, sipas këtij vendimi”, përcaktohet në vendimin “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë e të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.08. 1991 dhe të truallit funksional të tyre”. Kalimi i pronësisë për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë bëhet pa pagesë, por, nga ana tjetër, ata të cilët duan apo janë të interesuar për të përfituar më tepër mund ta bëjnë këtë duke e blerë me çmim tregu. Vendimi përcakton që në çdo rast sipërfaqja e përfituar s’mund të jetë me shumë sesa 500 metër katrorë.
AFATET Në mënyrë të vazhdueshme, në faqen e Agjencisë së Kadastrës publikohen edhe listat me emrat e përfituesve në çdo qytet. Edhe pse procesi për regjistrimin e këtyre banesave ka nisur prej dy vitesh, interesi i qytetarëve ka qenë i ulët. Kjo dëshmohet edhe prej numrit të paktë të aplikimeve. Sipas vendimit, brenda një afati 30- ditor nga publikimi i të dhënave, Agjencia e Kadastrës ka detyrimin që të bëjë regjistrimin e banesës. “Drejtoria Rajonale e ASHK- së bën afishimin publik për qytetarët, për të cilët kanë nisur procedurat e kalimit në pronësi të objekteve të ndërtuara para vitit 1991. Publikimi i planvendosjes së objekteve që po trajtohen nga ASHK bëhet për një periudhë 30- ditore. Pas shpalljes 30ditore nga Njësitë Administrative respektive, qytetarët certifikohen si pronarë të objektit”, bëhet me dije nga Agjencia e Kadastrës.
PROCEDURAT Janë rreth 60 mijë objekte të identifikuara që do t’i nënshtrohen hipotekimit me procedurat e reja që kanë nisur. Vlen të theksohet se për aplikimet afati nuk është i limituar, çka do të thotë se qytetarët mund të paraqiten në çdo kohë për të dorëzuar kërkesë së bashku me dokumentacionin që posedojnë, konkretisht leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica genplane, akte shitblerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të Këshillave Popullore apo dokumente të tjera provuese të çdolloji dhe kohe. Sakaq, formularët e aplikimit mund të plotësohen në sportelet e Kadastrës.