Anulohet "Topi artë", revoltohen te Bajerni
Levandovski ishte kandidati kryesor për të fituar trofeun
"Topi i Artë" për lojtarin më të mirë në botë, që nuk do të jepet në këtë sezon. Është hera e parë që një event i tillë anulohet. "Ballon d'Or" do të pushojë për herë të parë që pas vitit 1956", shkruan e përditshmja franceze "Franc Football". Shkak është bërë situata jo normale që po kalon bota nga virusi "COVID19". Një lajm i tillë ka revoltuar jo pak tifozët në mbarë botën, të cilët në këtë vit nuk do të kenë mundësi të shohin lojtarët e tyre të preferuar të fitojnë çmimin më të rëndësishëm në karrierë. Bajerni i Mynihut duket se është skuadra më e prekur nga ky mendim. Të paktën kështu mendojnë tifozët bavarezë, të cilët shihnin si favorit kryesor Robert Levandvoskin. Polaku, i cili u shpall golashënues në Bundesligë me 34 gola në 34 javë, fitoi gjithashtu Kupën e Gjermanisë. Ndërkohë në Champions, kampionët e Gjermanisë shihen si skuadra favorite për të fituar titullin. Kjo ka sjellë një rebelim të tifozëve në rrjetet sociale të cilët e kanë quajtur një trup këtë vendim të "Franc Football". Kjo pasi ata do të ishin të detyruar që në fund të sezonit, duke parë ecurinë e sulmuesit të tyre, t'i jepnin atij çmimin. Edhe pse kjo në pamje të parë duket disi absurde, pasi në garë për "Topin e Artë" janë edhe lojtarë si Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo apo Karim Benzema. Të tre ende në garë për të fituar Champions- in.
MESI MBRETI Edhe pse një sezon për t'u harruar ai në La Liga për Lionel Mesin, argjentinasi është lojtari që ka fituar më shumë herë këtë trofe. Plot gjashtë herë "Franc Football" ka votuar për yllin e Barçës si lojtarin më të mirë në planet. Pas tij vjen Kristiano Ronaldo me 5 "Topa të Artë". Kujtojmë që prej më shumë se një dekade ky trofe ka qenë një garë e fortë midis portugezit dhe argjentinasit. Sulmuesi i Juventusit ka një më pak se Mesi, dhe shpresonte që në këtë sezon të arrinte atë. Gjithsesi Ronaldo dhe shokë duhet të presin sezonin e ardhshëm për të tentuar të arrijnë "Pleshtin", i cili është dhe do të mbetet mbreti i "Topit të Artë".