I dënuar për vrasje, 44- vjeçari kapet duke transportuar klandestinë
Policia e Krujës ka arrestuar një 44- vjeçar të dënuar për vrasje, teksa ishte duke transportuar pesë shtetas sirianë drejt pikës Kufitare kundrejt pagesës. Arrestimi i tij është bërë pas finalizimit të operacionit të koduar “Shtegtari”. Artan Farruku, 44 vjeç, i dënuar me 16 vite heqje lirie për vrasjen e kushëririt të tij, Sali Farruku, ngjarje e ndodhur shumë vite më parë, u arrestua nga Policia në tentativë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, të pesë shtetasve sirianë. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme finalizuan operacionin policor të koduar “Shtegtari”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: Artan Farruku, banues në Krujë, i dënuar më parë me 16 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Farruku akuzohet për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Sipas Policisë, 44- vjeçari është konstatuar nga shërbimet e Policisë në autostradën Krujë- Laç, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, 5 shtetas sirianë, emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi mjetin tip “Volkswagen”, me të cilin transportonte emigrantët sirianë dhe një aparat celular. “Finalizohet operacioni i koduar ‘ Shtegtari’, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. Në pranga ka përfunduar Artan Farruku, i dënuar më parë me 16 vjet burg, për veprën penale ‘ Vrasja me paramendim’”, deklaroi Policia. Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën se disa vite më parë, pas një konflikti për motive të dobëta, Artan Farruku vrau kushëririn e tij, Sali Farrukun. Për këtë krim, 44- vjeçari u dënua me 16 vite burg dhe pak vite më parë përfundoi dënimin. 44- vjeçari nuk ka mundur të qëndrojë për shumë kohë larg telasheve dhe ra sërish në prangat e Policisë teksa ishte duke transportuar me makinën e tij në mënyrë të paligjshme disa shtetas sirianë, të cilët kishin për qëllim të kalonin kufirin në rrugë ilegale. Policia e Krujës kishte siguruar informacione të sakta për veprimtarinë e paligjshme të Farrukut dhe e kishte mbajtur në vëzhgim. Për ta arrestuar në flagrancë, Policia organizoi operacionin “Shtegtari”, duke e mbërthyer në autostradën Krujë- Laç me pesë shtetas të huaj në makinë. L. M.