Vendimi i ATP, emrat e pronarëve që ndajnë fondin 2 milionë USD
Emrat e pronarëve që kompensohen nga fondi financiar e fizik
Vetëm një numër i ulët pronarësh kanë arritur të kompensohen përgjatë këtij viti nga fondi financiar dhe fizik.
Dje, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka bërë publike listën me emrat e vetëm 10 përfituesve, nga të cilët vetëm 8 marrin kompensimin, ndërsa për dy të tjerët dosja është mbyllur pa pagesë. “ATP njofton se aktualisht ka përfunduar shqyrtimin e 10 aplikimeve, me objekt kompensimin financiar dhe kompensimin fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP- së, për pronën e njohur me vendimet e ish- KKKP- ve. Nga aplikimet e shqyrtuara deri më tani rezulton se: 8 aplikime, vendimet e të cilëve përfitojnë kompensim financiar dhe fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP- së dhe për 2 aplikime është vendosur përfundimi i procedimit administrativ”, thuhet në njoftimin e Agjencisë. Vlera e fondit financiar të shpërndarë është rreth 17. 5 milionë lekë. Ndërsa sipërfaqja e kompensuar fizikisht nga fondi i tokës është 321 975.2 m2, ( 32.2 ha). Ndryshimet e bëra në skemë përcaktojnë që kompensimi i pronarëve të bëhet në masën 80 për qind nga fondi fizik që ATP- ja disponon dhe pjesa e mbetur të mbulohet nga fondi financiar. Kjo ka sjellë pakënaqësi në radhët e pronarëve, gjë që është reflektuar edhe në numrin e aplikimeve, i cili ka qenë i ulët. PAGESA ME KËSTE Po dje, Agjencia e Pronave ka publikuar listën e 16 familjeve që përfitojnë nga skema e pagesës me këste. “Aktualisht ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 16 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, për të cilat ATP- ja ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/ aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr. 133/ 2015 ‘ Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave’”. Gazeta boton sot të plota listat e përfituesve, të cilët në total ndajnë një fond në vlerën e rreth 2 milionë dollarëve. “Fondi financiar i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, që ATP- ja do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 16 aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 227’ 640’ 837,73 lekë, nga të cilat 47’ 012’ 318,43 lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti”. Skema e pagesës së përshpejtuar u jep mundësi pronarëve të marrin deri në 40 për qind të vlerës që prona ka sot në treg, por duke hequr dorë nga pjesa e mbetur. Në këto kushte, siç vihet në dukje edhe në njoftimin e Agjencisë, shteti ka kursyer gati dyfishin e shumës së ndarë. “Nga përfundimi i trajtimit të këtyre 16 aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, buxhetit të shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 348 milionë lekëve”. Kësti përkatës për secilin përfitues, sipas ATP- së do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.
APLIKIMET Në shkurt të këtij viti, Agjencia përmbylli vlerësimin financiar për më shumë se 24 mijë vendime të formës së prerë. Këto familje kanë të drejtë të paraqiten në çdo kohë për të aplikuar. “Të gjitha subjektet, të cilat kanë aplikuar apo do të aplikojnë për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht, do të trajtohen me kompensim vetëm pasi të ketë përfunduar shqyrtimi administrativ i kërkesës dhe gjithë dokumentacionit të depozituar nga ana e tyre. Sqarojmë se procesi i aplikimit dhe ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht për vitet 1993- 2013 është një proces i vazhdueshëm dhe i hapur për të gjitha subjektet”, bën thirrje ATP- ja.