Aleanca e Teatrit i përgjigjet Veliajt: S’ke të ardhme në politikë!
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u është përgjigjur deklaratave të kryebashkiakut të Tiranës, që paralajmërojnë edhe një herë prishjen e teatrit, pavarësisht “çetave të vogla kundërshtuese”. Përmes një komunikate në “Facebook”, ata i kujtojnë Veliajt se sorollatjet e tij për të legjitimuar grabitjen e teatrit do ta fundosin atë si politikan. “Si qytetarë të Tiranës e si qëndrestarë në kauzën e Teatrit, i kujtojmë kryetarit të bashkisë që nëse ai vë në lojë jetën e Teatrit për karrierën e tij aktuale, të jetë i sigurt që të ardhme në politikë nuk do të ketë. Figura e tij do të jetë e diskretituar në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Si njerëzit që i kanë dhënë jetë sheshit të Teatrit për gati 2 vjet me protestën e Teatrit Kombëtar prej mbi 5 muajsh, ne kemi dhënë shembullin e qartë të rezistencës, sakrificës e vendosmërisë që me qytetari e me art ta zmbrapsim dorën shkatërruese të qeverisë e bashkisë”, shprehen artistët, duke i vënë në dukje mbështetjen që ka fituar brenda dhe jashtë vendit qëndresa e tyre. Së pari, nga Presidenti i Republikës, i cili e ka çuar ligjin ‘ Fusha’ në Kushtetuese, çka pengon çdo lloj zhvillimi pa u shprehur kjo e fundit. E më pas, nga Europa, e cila prej pak ditësh e ka shënuar Teatrin si një ndër trashëgimitë në rrezik. Me anë të këtij komunikimi, Aleanca i kërkon Veliajt të bëjë publik procesin e tenderimit të Teatrit. Në të kundërt, do të përballet me ligjin. “Ne nuk harrojmë asnjë nga kërcënimet e tij, por jemi tërësisht të vendosur që ta vazhdojmë me përkushtim rezistencën tonë. I kërkojmë me këtë rast të bëjë transparent me urgjencë gjithë procesin e vendimmarrjes për tenderin për Teatrin sepse kanë kaluar gjithë afatet zyrtare për këtë gjë. Përveç pasojave politike, mosrealizimi i kësaj transparence do të ketë pasoja ligjore për të”, shprehet Aleanca, duke kërkuar më shumë mbështetje nga radhët e qytetarëve në mbrojtje të Teatrit.