BASHKËPUNIMI
“Bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë është thelbësor për përparimin në procesin e integrimit në Bashkimin Europian"”
Ditën e djeshme u zhvillua takimi i përbashkët i Komisionit të Stabilizim- Asociimit Shqipëri- BE.
Në këtë takim pala shqiptare u përfaqësua nga ministri për Europën e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili gjatë konferencës për shtyp ritheksoi vendosmërinë e palës shqiptare në vijimin e implementimit të reformave që përshpejtojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pas takimit, KSA doli në një deklaratë të përbashkët, ku vuri theksoin te nevoja e rikthimit të opozitës në Parlament për të vijuar punën në komisionet parlamentare, duke përfshirë edhe Komisionin e Reformës Zgjedhore. "BE- ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. Në këtë kontekst, BE theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore", theksohet në deklaratë. Në deklaratën e përbashkët u vlerësua aksioni kundër krimit të organizuar, duke kërkuar vijimin e punës në mënyrë që të përmbushen rekomandimet e dhëna nga Këshilli i Ministrave të BE për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019. "Rrjedhimisht, BE- ja përsëriti nevojën kritike që Shqipëria të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vetingut dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe. BE përshëndeti operacionet e mëdha të kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar të kryera nga Poli- cia e Shtetit Shqiptar dhe theksoi se është thelbësore të forcohen përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale, si dhe të garantohet ndjekjen duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit", theksohet në deklaratën e përbashkët. BE- ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE.