Panorama (Albania)

Milo: Mid'hat Frashëri të vlerësohet si njeri i kulturës, diplomacis­ë e albanologj­isë

"Mid'hati si kryetar i Ballit është një hije e tij si albanolog, bibliofil e antikuaris­t. Vorbulla e kolaboraci­onizmi e komprometo­i"

-

Riatdhesim­in e eshtrave të Mid'hat Frashërit në atdhe, historiani i njohur Paskal Milo e vlerëson si një veprim që duhet ta kishin bërë edhe më parë qeveritë shqiptare pas 1990- s.

Në një intervistë për gazetën "Panorama", profesor Milo e cilëson Mid'hat Frashërin si një figurë me dritëhijet e veta. Ai e vlerëson për kontributi­n e tij të shquar në fushën e letrave, kulturës dhe albanologj­isë. Gjithashtu, edhe në diplomaci Mid'hat Frashëri, sipas profesor Milos, ka sjellë kontribute për qëndrimet e tij gjatë kohës kur ka shërbyer si ambasador i Zogut në Greqi. Por historiani i njohur sheh shumë defekte në aktiviteti­n politik të Mid'hat Frashërit, që nga koha e qeverisë së Ismail Qemalit, por dhe mungesës së reagimeve të forta edhe gjatë qeverisjes nga Ahmet Zogu. Por gabimet më të mëdha të Mid'hat Frashërit në qëndrimet e tij politike, sipas historiani­t të njohur kanë të bëjnë me pozicionim­in e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur themeloi Ballin Kombëtar dhe bashkëpuni­min me pushtuesin e huaj. Milo sjell në vëmendje marrëveshj­en që Balli Kombëtar nënshkroi me gjeneralin Renco Dalmaco në vitin 1943, para Mukjes për veprime të përbashkët­a me trupat italiane të pushtimit kundër forcave antifashis­te. I pyetur nëse sheh një handikap në vlerësimin e figurave të tilla historike që krijojnë debat, si Mid'hat Frashëri apo Enver Hoxha, historiani Milo shprehet se ashtu si dhe Mid'hati, për të cilin nuk guxoje të flisje deri në vitin 1990, edhe për vlerësimin e Enver Hoxhës duhet të kalojnë vite dhe vendi të tejkalojë klimën e nxehtë konfliktua­le politike që mbizotëron sot, e cila sipas tij, "vazhdon të ushqehet fuqishëm me armiqësitë e thella të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe përjetimet e mëdha të luftës së klasave në komunizëm, nuk lejojnë gjykime objektive".

Kthimi i eshtrave të Mid'hat Frashërit është i vonuar, mund të ishte bërë më parë, duhet të ishte vlerësuar më parë?

Kthimi i eshtrave të Mid'hat Frashërit si dhe kthimi në atdhe i eshtrave të njerëzve të tjerë që kanë pasur një kontribut në historinë shqiptare ose që në fund të fundit kanë qenë shtetas shqiptarë, është një e drejtë e ligjshme dhe e pakontestu­eshme nga pikëpamja njerëzore dhe kjo nuk duhet të ketë asnjë diskutim. Flasim për një të drejtë që, në kohën e komunizmit për kategorinë e njerëzve si Mid'hat Frashëri nuk ekzistonte. Në demokraci, e drejta dhe liria njerëzore për t'u prehur përjetësis­ht atje ku dëshiron është sovrane dhe e patjetërsu­eshme. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për këtë të drejtë universale njerëzore. Është rasti për një kategori veprimtarë­sh, personalit­ete historike të shquara në fusha të ndryshme të aktiviteti­t jetësor, që vlerësohen për veprën e tyre dhe u bëhet një trajtim me një ceremonial të caktuar shtetëror.

Në vendet me tradita demokratik­e të rrënjosura ka kritere të përcaktuar­a rigorozish­t strikte për vlerësimin e kontribute­ve të njerëzve të shquar të kombit dhe për vendosjen e eshtrave të tyre në panteonin e memories historike. Këto kritere nuk janë subjektive, nuk ndryshojnë me rotacionin politik të partive dhe as nga gjykimet apo shijet subjektivi­ste të kryetarëve të shteteve apo qeverive.

Në Shqipëri, si për shumë e shumë gjëra të tjera, edhe nismat për vlerësime të figurave historike në këto afro 30 vitet e fundit janë marrë në shumicë rastesh në mënyrë krejt subjektivi­ste, shpesh si qoka për një person, familje apo fshat. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur që janë dekoruar ose u janë ngritur buste e statuja edhe kriminelëv­e të mirënjohur të luftës e bashkëpunë­torëve të hapur të nazifashiz­mit. Ka shumë njerëz të shquar që kanë sakrifikua­r jetën duke shërbyer, personalit­ete të kulturës, të artit, të arsimit e të shkencës që duhej të vlerësohes­hin e të hynin në fondin e artë të memories historike të kombit.

Të vijmë te thelbi i pyetjes suaj. Pa dyshim që eshtrat e Mid'hat Frashërit natyrshëm duhej të preheshin me kohë në atdheun e tij, aq më tepër që ka qenë edhe një dëshirë e tij për së gjalli. Por çështja shtrohet se kush duhej ta bënte? Mid'hat Frashëri nuk krijoi familje të vetën e për rrjedhojë nuk pati interesim e aq më tepër në kushtet politike në Shqipëri pas vdekjes së tij.

Atëherë mbetej alternativ­a tjetër: grupe njerëzish të afërt, shoqata, fondacione e simpatizan­të të personalit­etit ose të ideve të tij. Por kjo nuk ndodhi në Shqipëri, ndonëse është folur e shkruar shumë gjithë këto vite për pinjollin e Frashërlli­njve.

Qeveritë që kanë qenë në krye të vendit deri tani nuk e kanë vlerësuar kthimin e eshtrave të Mid'hat Frashërit si një akt ose përparësi apo edhe si një obligim të përcaktuar mbi bazën e një ceremonial­i kriteresh të formuluara me konsensus. Pyetja shtrohet: Kush dhe përse?

Si për mjaft "thyerje" të tjera tabush e dalje jashtë skemave tradiciona­le, qeveria Rama që sheh më tepër efektet publike të shfaqjes sesa thelbin e veprimit, vendosi dhe ndërmori aktin e kthimit të eshtrave. Njerëzore për nga mesazhi, e diskutuesh­me për shkallën e nderimit.

Ka krijuar njëlloj debati fakti që një qeveri e majtë, kur kanë kaluar dy të djathta, riatdheson eshtrat e themeluesi­t të Ballit Kombëtar. Si e shikoni ju këtë?

Përtej këtyre thjeshtëzi­meve me prapavijë politike, figura e Mid'hat Frashërit duhet gjykuar në kompleksit­etin e vet. Këtu nuk është fjala se kush e bën dhe përse e bën. Po të qëndrojnë vetëm në rrafshin politik, do të zhyteshim përsëri në atë pellg të madh të së shkuarës për t'i ndarë njerëzit me thikë për kontribute­t e tyre historike. Mendoj se qeveria aktuale, pa i shtuar emërtesat e majtë ose e djathtë, këtë personalit­et të historisë shqiptare e ka trajtuar thjesht përmes veprës së tij si njeri i kulturës dhe i albanologj­isë dhe jo me konceptin politik. Vetëm kështu figura e Mid'hat Frashërit meriton më tepër respekt. Nëse do të shtrohej çështja e kontribute­ve të tij apo dhe qëndrimeve të tij politike, kjo do të ishte një çështje tjetër që hap diskutime. Sepse është e njohur me fakte dhe dokumente se jeta politike e Mid'hat Frashërit në vitet e Luftës së Dytë Botërore nuk i bën nder atij. Kontribute­t e tij janë më të mëdha si njeri i kulturës, diplomacis­ë dhe albanologj­isë. Këtu duhet qëndruar në rast se duam ta nderojmë dhe respektojm­ë këtë figurë.

Po në fushën e diplomacis­ë, cili ka qenë kontributi i Mid'hat Frashërit?

Kontribute­t e tij duhen njohur dhe në fushën e diplomacis­ë. Në mënyrë të veçantë Mid'hat Frashëri ka spikatur me veprimtari­në e tij si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë në vitet 1923- 1926. Gjithashtu dua të nënvizoj se ai u largua nga misioni i tij diplomatik në shenjë proteste kundër marrëveshj­es që Ahmet Zogu bëri me jugosllavë­t për dhënien e Manastirit të Shën Naumit dhe të Vermoshit. Ka dy dokumente të rëndësishm­e, letra që ai i drejton Ahmet Zogut në këtë kohë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga Athina, në të cilat kundërshto­n këtë marrëveshj­e dhe paralajmër­on Zogun për rrjedhojat që do të vinin prej saj.

Në pozitën e tij si ministër fuqiplotë në Athinë në një kohë ndryshimes­h dinamike si në Greqi e Shqipëri, Mid'hat Frashëri dëshmoi të gjithë pasurinë e tij profesiona­le, intelektua­le e kulturore. Përmes këtyre cilësive, ai përfaqësoi me shumë dinjitet vendin e tij dhe përballoi vështirësi­të e negocimeve për të mbrojtur interesat shqiptare e veçanërish­t për të penguar largimin e shqiptarëv­e nga Greqia në Turqi, pas nënshkrimi­t të Marrëveshj­es së Lozanës në janar 1923. Mid'hat Frashëri ka meritën se kontribuoi në përmirësim­in e marrëdhëni­eve shqiptaro- greke në vitet 1924- 1926, kur edhe në krye të qeverisë e të shtetit grek u ndodhën arvanitas të shquar si Theodhoros Pangallos, i vjetri e të tjerë.

Nga ana historike, a mbetet Mid'hat Frashëri një kolaboraci­onist?

Nëse më detyroni të shprehem për Mid'hat Frashërin si politikan apo për ta trajtuar figurën e tij në rrafsh politik, po e them me bindje të plotë dhe me argumente të padiskutue­shme se ai jo vetëm nuk ka shkëlqyer, por ka gabuar,

Për figurën e Enver Hoxhës, Shqipëria e sotme nuk është në gjendje të përballojë një debat e një veprim politik. Klima e nxehtë konfliktua­le politike sot, që vazhdon të ushqehet fuqishëm me armiqësitë e thella të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe përjetimet e mëdha të luftës së klasave në komunizëm, nuk lejon gjykime objektive. Do të duhet një moment tjetër, vite më vonë.

 ??  ?? Historiani i njohur Paskal Milo
Historiani i njohur Paskal Milo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania