Panorama (Albania)

Fadil Hasa i Shkodrës: U jap ujin falas të gjithë banorëve të fshatit

Bashkëfsha­tarët mësynë me bidonë sapo hapi pusin me sondë: Ndihem mirë që iu shërbej

- Fadil Hasa

Banorët e fshatit Golem të Shkodrës, prej disa kohësh po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

E gjithë zona që i përket Njësisë Rrethina po has në vështirësi, pasi puset e vjetra janë tharë. Sipas tyre, vetëm hapja e një pusi me sondë në rreth 20 metra thellësi do të bënte punë, por kjo është mjaft e kushtueshm­e për ta. I vetmi banor i Golemit që ka mundur ta përballojë financiari­sht hapjen e një pusi të tillë, është Fadil Hasa. Por që pas hapjes së pusit, porta e tij nuk qëndron asnjëherë e mbyllur. Jo vetëm bashkëfsha­tarët, por edhe autobote vijnë e mbushen çdo ditë për të furnizuar zonat e tjera përreth. FURNIZIMI I BANOREVE Banori Fadil Hasa ka vendosur që të ndihmojë të gjithë fshatin, por edhe rrethinat e saj dhe t'u japë atyre ujë pa asnjë detyrim. Janë të paktën 25 mijë banorë, të cilët nuk kanë ujë dhe asnjë mundësi furnizimi. Fadili thotë se puset këtë vit kanë shteruar dhe në këtë mënyrë, fshatrat kanë mbetur në etje. Atje nuk ka pasur asnjëherë rrjet ujësjellës­i për 28 vite me radhë. Ndikuar nga kjo situatë, ai ka bërë një shpim në tokën e tij dhe aty ka dalë një burim uji. Fadili e përdori fillimisht për familjen e tij. Por fjala mori dhenë dhe shumë banorë i behën në derë me bidonët e ujit. Ndodhur në këto kushte, ai iu hapi atyre portën dhe tashmë çdo ditë, dhjetëra banorë mbushin ujë nga pusi i tij. "Kam pasur fat të madh që doli uji kur bëra shpimin dhe thashë, pse të mos ia jap edhe të tjerëve. Le ta marrin të gjithë. E kanë marrë vesh banorët e tjerë sepse unë kam nxjerrë zorrat e ujit për të pastruar pusin dhe kështu i kanë parë. Atëherë, fjala hapet shpejt sepse njerëzit këtu kanë nevojë për ujë. Unë kam jetuar në Malësi të Madhe më përpara dhe atje kemi vuajtur për ujë. E di çfarë do të thotë kjo gjë, ndaj edhe kam vendosur që të jem kontribuue­s për të tjerët", shprehet Fadili. Sipas tij, ndonëse fatura e energjisë elektrike e këtij muaji mund t'i shkojë rreth 300 mijë lekë të vjetër, ai sërish ka vendosur që t'i paguajë vetë dhe të mos lërë askënd pa ujë. Daljen e ujit në tokën e tij, Fadili e quan si një bekim nga Zoti. "Është fat që mua më doli uji pasi bëra shpimin. Unë nuk jam më i mirë se të tjerët. Nuk jam as më pasanik. Por në shpirt ndihem shumë mirë që po iu shërbej të tjerëve", shprehet ai. ANKESAT E BANORËVE

Është absurde që një fshat si Golemi apo edhe fshatra të tjerë aty afër të mos kenë ujë, thonë banorët e fshatit Golem. Sipas tyre, të gjithë tubat që furnizojnë disa lagje të Shkodrës kalojnë përmes fshatit të tyre, por për ta nuk ka pikë uji. "Ne lumin Kir nuk e kemi as 1 mijë metra larg dhe lagjet e Shkodrës e kanë shumë më larg. Por ata kanë ujë, kurse ne jo", shprehet një banor, që prej ditësh ka nisur ta mbushë ujin në pusin e hapur nga bashkëfsha­tari i tij. "Unë kam punuar shumë gjatë gjithë jetës sime. Jam marrë me bujqësi dhe kam një lokal të vogël. Të gjithë mundin që bëj atje e sjell te lokali dhe kështu punoj", shprehet Fadil Hasa, i cili është kthyer në të vetmen shpresë për banorët për të mbushur ujë pa pagesë. Ai tashmë po bën punën e shumë institucio­neve, duke furnizuar me ujë mijëra banorë.

 ??  ??
 ??  ?? Banorët duke mbushur ujë me bote
Banorët duke mbushur ujë me bote

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania