Mogherini: Fundi i luftës në Siri, më larg se kurrë
Kryediplomatja europiane i kërkon Rusisë të ulë Sirinë në bisedime
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, tha se një fund i luftës civile siriane nuk ka qenë kurrë kaq larg dhe po i bën thirrje Rusisë që të sjellë qeverinë siriane në bisedimet e sponsorizuara nga OKB.
Mogherini tha pas një takimi të 28 ministrave të jashtëm të BE- së, se “duhet të ushtrohet presion, përndryshe shkatërrimi do të vazhdojë”. Sipas saj, blloku dëshiron të përdorë një takim në Siri javën e ardhshme, për të dhënë nxitje për procesin paqësor të OKB- së, pas sulmeve ajrore të perëndimit në vend. Më shumë se 70 delegacione pritet të marrin pjesë në konferencën e donatorëve të Sirisë, më 24- 25 prill në Bruksel. Ajo pranoi se sfida mbetet “e frikshme”. Duke kujtuar se Siria është në luftë prej shtatë vitesh, Mogherini tha se “zgjidhja e konfliktit duket të jetë edhe më larg se kurrë”. OKB shihet si organizata që mund të bëjë realitet mbledhjen e palëve kundërshtare në bisedime. Ambasadori i Francës në OKB, tha se prioriteti i tre aleatëve perëndimorë që sulmuan bazat e armëve në Siri ( SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca), është që të ecin përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike të konfliktit shtatëvjeçar. Francois Delattre u tha reporterëve në OKB se një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit e qarkulluar nga Franca, SHBA dhe Britania për herë të parë mbulon aspektet kryesore të krizës siriane: armët kimike, aksesin humanitar dhe një zgjidhje politike. Rusia i ka kundërshtuar dy pika kryesore të rezolutës: dënimin e përbormit të të gjitha llojeve të armëve kimike ( veçanërisht atë të dyshuar më 7 prill në Douma, për të cilin Moska tha se nuk ka ndodhur kurrë) dhe themelimin e një organi të ri të pavarur për të vlerësuar fajin për sulmet kimike. Delattre tha se nuk ka një afat për votimin dhe qëllimi është që të prodhohen negociata serioze dhe produktive me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të këshillit për të nxjerrë Sirinë jashtë kësaj gjendjeje. Pala e tretë e përfshirë në sulmet perëndimore është Britania, ku Kryeministrja Theresa Maj raportoi para ligjvënësve mbi sulmet në Siri. May ka kundërshtuar kritikët që thonë se Brita- nia u bashkua me sulmet ndaj Sirisë me urdhrin e Presidentit të SHBA- ve, Donald Trump. “Kemi vepruar sepse është në interesin tonë kombëtar ta bëjmë këtë”, tha May. Ajo shtoi se përdorimi i armëve kimike nuk mund të kalojë kaq lehtë. Disa ligjvënës britanikë thanë se qeveria nuk duhet të kishte vepruar pa miratimin e Parlamentit.