Hames e Roben njëzëri: Duam Champions- in me Bajernin
Hames Rodrigez ka folur për mikrofonat e "Byerntv" vetëm pak minuta pasi përfundoi stërvitjen me skuadrën e tij në prag të ndeshjes së sotme kundër Sevijës. Ai së bashku me Arjen Roben ishin lojtarët e vetëm, që u përzgjodhën nga klubi për të dhënë deklarata në lidhje me ndeshjen. Në fakt, vetëm holandezi ishte përkrah Hejnkesit në sallën e konferencave. Kolumbiani, që ishte lojtari më i mirë në ndeshjen e fundit në Augsburg duke ndihmuar skuadrën të merrte një trepikësh që i siguroi matematikisht titullin, deklaroi: "Mendoj që kemi shanse reale për të fituar trofeun në fund. Ka shumë skuadra të forta që luajnë një futboll të mirë, ashtu si ne. Të gjithë në skuadër e duan këtë trofe, po ashtu edhe unë. Por duhet t'i marrim ndeshjet me radhë. Do ta fillojmë që nga ndeshja e sot- me ndaj Sevijës, e më pas te tjetra në rast se kualifikohemi për në gjysmëfinale. Duhet ta nisim ndeshjen me intensitet të latë, 100% të fokusuar. Të luajmë një futboll të bukur kundër një kundërshtari shumë agresiv dhe të vështirë", përfundoi Hames. Ndërkohë, Arjen Roben ishte lojtari i radhës i pyetur për takimin e sotëm kundër spanjollëve. Lojtari ishte i qeshur si përherë dhe në humor të mirë. Ai sapo kishte përfunduar stërvitjen e fundit me skuadrën në prag të ndeshjes së kthimit ndaj skuadrës së Montelës. Pyetjes se si e parashikon ndeshjen e kthimit ndaj spanjollëve, ai iu përgjigj: "Nesër duhet të zh- villojmë një ndeshje të mirë. Jemi gati për të bërë një hap të rëndësishëm. Muaji prill do të jetë interesant. Fitorja 1- 2 në transfertën është diçka fantastike. Por asgjë nuk ka mbaruar, prandaj duhet të futemi të fokusuar dhe të bëjmë një paraqitje prej një skuadre të madhe. Ata do të luajnë shansin e fundit, prandaj duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë. Sigurisht që ka presion, por unë e dua këtë lloj presioni, më jep fuqi për të luftuar dhe kjo më motivon. Në qoftë se duam t'i shkojmë në fund Champions- it, duhet të rritemi akoma si skuadër. Na mungojnë disa detaje që duhet t'i përmirësojmë". Nuk kishte si t'i shpëtonte pyetjes për rinovimin e pritshëm me skuadrën bavareze, ndaj Roben shtoi: "Besoj që kam folur qartë për këtë temë. I përket klubit të veprojë tani. Për momentin nuk ka asgjë të re për sa i përket rinovimit tim", përfundoi holandezi, që më pas ia la fjalën trajnerit Jup Hejnkes, i cili ishte duke e pritur të startonte intervistën e tij në praninë e gazetarëve.