Seanca për “të fortin” e Shkodrës, gjyqtarja dorëhiqet brenda seancës
SHKODER- Frederik Tata, i akuzuar për prostitucion në Shkodër, ka mbetur sërish në “arrest me burg”. Avokati mbrojtës, Ilir Golemi, kishte paraqitur një kërkesë për zëvendësim mase në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke kërkuar kështu një masë më lehtësuese, “arrest shtëpie” ose “detyrim me paraqitje”. Sapo ka nisur seanca e drejtuar nga gjyqtarja Izabela Radovani, i dyshuari Frederik Tata ka ngritur zërin duke folur ashpër ndaj trupit gjykues. Shkak për ngritjen e zërit është bërë vendimi i gjyqtares për të mos lejuar as familjarët që të futen brenda seancës, por as mediat. Tata, që në seancën e parë ndaj tij ka deklaruar se “nuk flas asgjë pa qenë prezente mediat”. Edhe kësaj here, i akuzuari për prostitucion ka kërkuar që të jenë të pranishëm familjarët dhe mediat, por gjyqtarja Radovani e ka zhvilluar gjyqin me dyer të mbyllura. Nuk konfirmohet se çfarë ka ndodhur më tej brenda seancës, por sipas të dhënave, në fund të saj, kur gjyqtarja është tërhequr për vendim, ajo është paraqitur sërish në sallën e gjyqit duke deklaruar dorëheqjen e saj si trup gjykues.
Frederik Tata u arrestua muajin e kaluar për shkak se akuzohet si kreu i një grupi të prostitucionit. Bashkë me 50vjeçarin janë arrestuar edhe disa vajza, të cilat akuzohen gjithashtu se ushtronin prostitucion në lokalin “Tata” dhe një klient. Pas seancës së djeshme, ka reaguar vëllai i Frederikut, Viljam Tata, i cili shprehet se është absurd kjo që po ndodh. Sipas tij, nuk ka asnjë provë për 50- vjeçarin e akuzuar, ndërsa ai bashkë me familjen e tij po jetojnë ku të mundin, pasi policia u ka bllokuar banesën. “Është e paimagjinueshme që unë si vëlla që jam të mos lejohem të shkoj ta takoj në burg. Është antikushtetuese që të mos lejohemi të futemi në sallën e gjyqit, sepse gjyqet sipas ligjit janë të hapura. Unë dua të di se çfarë ka bërë vëllai im nëse ka bërë ndonjë gjë. Nuk më jep përgjigje as gjyqtarja Izabela Radovani dhe as prokurorja Marsida Frashëri. Kjo nuk është drejtësi, ky nuk është shtet. Kam bërë kërkesë që ta takojmë si familjarë, të paktën të dimë ndonjë detaj. Sipas dosjes, unë ju them se vëllai im është totalisht i pastër. Komplet banesa është e bllokuar. Është absurde që unë të mos lejohem të shkoj dhe të marr librat e fëmijëve. Ne kemi jetesën tonë, kemi familjet tona dhe nuk mund të vazhdohet kështu. Shkoj dhe fle te nipat e mbesat, sepse nuk kam se ku të shkoj për shkak se është e bllokuar banesa. Si do t’ia bëj unë kështu, nuk e kuptoj këtë punë”, u shpreh Viljam Tata.