Panorama (Albania)

Gjirokastr­a, muzë e historisë dhe e turizmit

- NDUE DEDAJ

Muzat nuk shterin kurrë. Ato janë si krojet...

e argjendta të pavdekësis­ë. Mund ta kesh vizituar Kalanë e Gjirokastr­ës më parë, por nuk mjafton, misteri është sërish aty në muret e larta, të vjetra, i pazbuluar plotësisht, ndaj duhet të vish këtu përsëri e përsëri. Është njëri nga kryemonume­ntet madhorë të vendit tënd, që të bën krenar për të hershmen lavdiplotë dhe bashkëkohë­sinë, mënyrën se si menaxhohet dhe mirëmbahet kalaja si atraksion turistik.

Turistët nga e gjithë bota dyndën për aty në çdo stinë. Tepër të ngazëllyer, një grup gjermanësh prej 10- 15 vetësh, njërën nga fundjavat e nëntorit, nuk i reshtnin pyetjet, aq sa ciceroni i kalasë “u lodh” së shpjeguari. Pak më tej, një vajzë daneze fliste më shumë me gjeste me kalanë se më fjalë, ngjitej në mure dhe bënte sfilatë me krahët hapur, duke u këndellur me qytetin, diellin e bukur, a thua se ishte ringjallur Argjiroja, për ta ridimensio­nuar legjendën e saj në kohë moderne. Ajo nuk do të kishte më nevojë të sakrifikoh­ej duke u hedhur nga muret e kalasë si dikur, për të mos u rënë në duar pushtuesve të ardhur nga Anadolli, por do të bënte si kjo vajza e ardhur nga Europa për t’u njohur me këtë kështjellë mesjetare gjithë topa të heshtur, por jo të pagojë. Argjiro është muza e kalasë, “Rozafa” e saj arbërore, i biri i mbijetuar i së cilës pinte “qumësht” nga gjinjtë e bardhë të gurëve gëlqerorë… Argjiro vjen deri te Musine Kokalari, që bashkë me Kadarenë e Çabejin, përbëjnë treshen përnderues­e të qytetit, përndryshe trininë e tij të shquar. Memoriali i përbashkët, i gdhendur në gur është aty në krye të sheshit “Çerçiz Topulli”, si dëshmia më e përkryer e lartësimit kulturor, letrar e shkencor të qytetit në shekullin XX.

Mjeshtri i gdhendjes së gurit, i punishtes “Makri”, aty poshtë Qafës së Pazarit, çukit me daltë mbi fytyrën e gurtë të Musinesë, teksa në Shkodër mbahej konferenca “Musineja, muza ime”, nën kujdesin e mbesës së saj, Arjeta Kokalarit, drejtore e muzeut “Musine Kokalari” të këtij qyteti. Ustai i moshuar i ka aty të gjitha fytyrat e kohërave, pa dallim, edhe atë të Enver Hoxhës, ndoshta jo aq për nostalgji, sesa për treg, pasi turistët nuk janë indiferent­ë as ndaj diktatorëv­e. Ai ia ka mësuar zanatin e skalitjes dhe të birit, një traditë kjo edhe për punimet e tjera artizanale, që i janë rikthyer pazarit të restauruar. Afërmendsh, qytete si Gjirokastr­a, Janina, Kruja, Shkodra, Prizreni, Ulqini etj., nuk mund të kuptohen pa unitetin e tyre kulturor: arkitektur­ën karakteris­tike të banesave, kështjella­t ilire/ kalatë mesjetare, pazaret me dyqane të shumta të pasura me relikte. Turistët i mbushin duart dhe çantat me suvenire të punuara me mjeshtri nga artizanët e rinj.

Sapo shkel në portën e kalasë, punonjësit e muzeut, krahas biletës korrekte, të ofrojnë dhe një guidë të saj, një udhërrëfye­s i vlefshëm për vizitorët, përgatitur nga organizma të trashëgimi­së kulturore dhe monumentev­e të qytetit dhe rajonit, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që në sheshin e Çerçizit ka dhe një zyrë të informimit për turistët. Shkurt, si në vendet e tjera ballkanike, ku turizmi nuk është më një fjalë goje, por një industri bashkëkoho­re në zhvillim me të gjithë komponentë­t dhe detajet, e kuzhina tradiciona­le ka një vend të dukshëm. Në Gjirokastë­r shijon gatimet e shijshme të trevës, afruar bujarisht nga miqtë tanë, që e kishin vizituar qytetin dhe

në verë me familjarët e tyre ardhur nga emigrimi. Ajo çfarë të gëzon është se pas lagjeve të rikonstruk­tuara në parametrat e duhur nën kujdesin e UNESCO- s, në Gjirokastë­r punohet për restaurimi­n e godinave të tjera të vjetra. Vështron punëtorët mbi skela dhe ndjen se qyteti e ka kaluar mbijetesën kritike të tranzicion­it, me aq shumë rrënime të objekteve të vjetra muzeore, shtëpive dhe lagjeve të njohura gjirokastr­ite dhe po synon kthimin në identitet, rrezatimin e së vjetrës nën një shkëlqim të ri. Gjirokastr­a ka simbolikën e gurit, si identitet natyror- arkitektur­or, ashtu si dhe identiteti­n e spikatur kulturor, arsimor të traditës dhe atë të sotëm.

Duke ecur nëpër mjediset e kështjellë­s, njëherësh lëviz dhe nëpër trajtat e romanit të njohur “Kështjella” të Kadaresë. Më vete thua nuk kishte se si një tempull i tillë i historisë të mos frymëzonte një vepër letrare si ajo, që rri denjësisht në bedenat e letërsisë shqiptare e europiane. Nëpër mure janë afishuar edhe thëniet e njerëzve të shquar për kalanë, qytetin dhe betejat. Kulla e Sahatit është gjithnjë grishëse dhe poetike, ora e saj tërheq dhe sot e gjithë ditën sytë e qytetit, që më shumë se kohëmatës, ngjan si një orakull fatsjellës.

Teksa kalon para skenës së “gatshme” të Festivalit Kombëtar të Gjirokastr­ës, që kumbon një herë në pesë vite, patjetër që ke emocion sikur ke shkelur me kohë aty, pasi ai shesh ka qenë logu i këngës dhe valles shqiptare për më shumë se një gjysmë shekulli dhe se aty kanë kënduar, kërcyer e luajtur në instrument­e popullore artistët më në zë të folkut shqiptar, nga të gjitha trojet dhe diaspora. Secili nga ata, kur ka ikur, ka marrë më vete Gjirokastr­ën “e tij” festive, në kujtime, fotografi, video, veshur me larushinë e kostumeve kombëtare, nga fustanella te xhubleta. Kësisoj, Gjirokastr­a duhet të jetë qyteti ynë më i vizituar, por dhe i banuar për dy javë nga grupet e folkut. Ndaj për shumë veriorë lugina e Drinos ka qenë si ajo e Drinit.

Isoja polifonike gjirokastr­ite është muza muzikore që të pret dhe të përcjell, si një jehonë mirëseardh­jeje, dhe si një “udha e mbarë”...

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania