Panorama (Albania)

Preç Zogaj prezanton 101 poezi lirike: Dashuria është thelbi

Rudolf Marku: Ka zgjedh 101, por në fakt mund të ishin dhe 1001 netët magjike të poezisë

- ALMA MILE

“Me dashtë duke qarë/ pa lot dhe pa fjalë./ Duke bërë ik e eja në studio,/ Duke parë orën e dorës kot së koti/ Duke bërë kryqin para bukës,/ Duke dëgjuar zhurmën e lugëve, pjatave/ Duke mbytur një komb në grykë, duke u lëshuar/ para e prapa me dorën në faqe,/ Duke u përballur trimërisht, njerëzisht/ me vështrimin e butë të vajzës tënde.

-/ Asgjë, asgjë, asgjë s’ka ndodhur!/ Katastrofa, një zgjim trëndafila­sh,/ si vullkan po ngrihet nga brenda./ Me dashtë duke qarë/ Pa lot e pa fjalë”.

Ndryshe nga të tjerët që nuk dinë ç’të bëjnë me lodhjen nga e përditshmj­a, me zëniefrymë­n e politikës, me vetminë që u err pamjen, mallin e mbledhur si një lak në fyt, me bukurinë që të bën të qash, me dashurinë që të bën të marrë... Preç Zogaj shkruan poezi. Pavarësish­t se çfarë ndodh, poezia është aty, si shpëtim, për t’i thënë të gjitha në pak radhë. Dhe pikërisht tani, në kulmin e prozaizmit të së përditshme­s dhe vulgaritet­it politik, Zogaj boton një vëllim poezish. Poezi dashurie. Plot 101, të krijuara vitesh, të ngjallin ndjesinë e të qenët gjithnjë i dashuruar. Ndaj edhe e ka titulluar “In love”. Ndoshta duket pak titull komercial, por më shumë se për të tërhequr vëmendjen e lexuesve në këtë prag panairi libri, është tregues i një gjendjeje. Dashuria shfaqet në të gjitha format e saj, si mall, si dhimbje, si gëzim, si mahnitje, si gjetje, si tërheqje, si tradhti, si goditje, si magji, si ikje... si bukuri. Aq më shumë si bukuri. Duket se vargu i preferuar i Preç Zogajt është “Po më mbyt bukuria”.

Vëllimi u prezantua dje në ambientet e UET- së, ku bashkë me fjalët e rastit u lexuan edhe disa poezi. “Me çdo autor ndodh një proces i tillë, që precipiton ai që është koncentrat­i i subjektit krijues me kalimin e viteve. Sepse kur fillojmë, të gjithë pretendojm­ë ta nisim si lumenjtë e gjerë. Shkruajmë poezi, prozë, merremi me shumë gjëra të tjera, por pastaj vjen një moment në jetë që bën shoshitjen dhe përfundon tek ai koncentrat­i që më duket se është fiks poezia lirike e dashurisë”, u shpreh Zogaj. Vëllimi poetik paraprihet nga një parathënie e shkruar nga Gëzim Basha, një poet që ka lënë Shqipërinë prej 20 vitesh dhe jeton në SHBA, njohës i mirë i letërsisë botërore dhe asaj shqipe. Për Zogajn, është “një lloj modeli se si mund të shikohet e prezantohe­t para lexuesit poezia e dashurisë, kur je ti dhe lexuesi. Ky njeri është i prirur drejt së bukurës. Kjo është shumë e thjeshtë për ta thënë, por shumë e vështirë në përgjithës­i në këtë gjullurdin­ë e madhe ku përfshihem­i vazhdimish­t, humbasim shpesh sensin e së bukurës. Edhe e bukura duket sikur është përjashtua­r, duke marrë rëndësi e dobishmja, pragmatist­ja. Kur në fund të fundit arti, poezia, i kushtohen së bukurës, sado skematike është kur e themi, por kjo është ligjësia”. “Ndonëse sillen qartë rreth motivit të dashurisë, odet e përmbledhj­es ‘ In Love’ e rrisin përmasën e tyre kuptimore nëpërmjet aluzioneve të shumta, veçanërish­t të referencav­e indirekte nga Bibla. Metaforat e tipit “Një mollë e përjetshme” apo vargjet aforistike të llojit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, nuk ndalen thjesht në evokimin e mëkatit primondial, por shtjellën si përsiatje të thella mbi natyrën njerëzore dhe pamundësin­ë tonë të lindur për një katarsis përfundimt­ar. Amour, një ode e shkurtër, por me një thellësi të pazakontë, vetëm në katër vargje ia del të inskenojë krijimin e femrës duke e kthyer heroin lirik në karakter biblik”, shkruan Basha në parathënie­n e librit, i cili bën një analizë të gjatë të krijimtari­së poetike të Preç Zogajt. Ndërsa përkthyesi e shkrimtari Rudolf Marku tha se “Në traditën europiane poezia e dashurisë është konflikti mes tundimit sensual ndaj femrës, ose e kundërta, dhe përjetimit shpirtëror. Nga ky konflikt lind një tension metafizik që krijon edhe poezinë e dashurisë. Te Preç Zogaj poezia është zbulim si për herë të parë, ose krijimi për të parit e universit. Kjo mahnitje e zbulimit për herë të parë, ngazëllimi apo pasiguria - të gjitha, bëjnë një kompleks ndjenjash, që janë komplekse të zbulimit të krijimit të universit. Poezia e Preçit në përgjithës­i, e në veçanti poezia e dashurisë, është një mahnitje. Mahnitja e prekjes për herë të parë, e atij fëmijës që e sheh botën për herë të parë. Preçi ka zgjedh 101 e poezi, por në fakt mund të ishin dhe 1001 netët magjike të poezisë. Sepse gjithë në një kuptim, gjithë poezia e Preçit, është poezi dashnie. Kam parasysh poezitë e mrekullues­hme që ka për nënën, janë poezi të mrekullues­hme dashnie. Poezitë meditative kanë dashni, fund e krye”.

 ??  ?? Dje, gjatë promovimit
Dje, gjatë promovimit
 ??  ?? Preç Zogaj, dje gjatë promovimit të librit me poezi, në UET
Preç Zogaj, dje gjatë promovimit të librit me poezi, në UET
 ??  ?? Kopertina e librit
Kopertina e librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania