Makina luksi e të blinduara, “hetoni pronat e të fortëve”
Çako u përcjell shefave të Policisë porositë e Ramës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, u ka përcjellë vartësve porositë e Kryeministrit për goditjen e të gjithë atyre që bëjnë rolin e të fortit, duke lëvizur me makina të blinduara e luksoze.
Gjithashtu, ka kërkuar sekuestrimin e aseteve që ata kanë krijuar si rezultat i veprimtarisë kriminale, si pasuri të paluajtshme, ndërtesa, toka, makina, hotele, motele, lokale, investime të ndryshme në shoqëri biznesi, etj. Prioritetet që do të ketë Policia e Shtetit në vijim, u përcaktuan gjatë një mbledhjeje që Çako zhvilloi mbrëmjen e së enjtes me të gjithë drejtuesit e Policive Vendore dhe ata të Kufirit. Policia tha se kjo mbledhje u zhvillua për t'u përcjellë detyrat e lëna nga Kryeministri, gjatë takimit të zhvilluar me Task- Forcën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit e të trafikimit të lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që pranë çdo drejtorie Vendore të ngrihet dhe të funksionojë një Task- Forcë për të drejtuar operacionin për sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Gjithashtu ai ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë me SHISH dhe Prokurorinë.
OPERACIONET
Rezultatet e takimit që Çako pati me vartësit erdhën vetëm pas disa orësh, duke arrestuar në Tiranë e Kavajë dy persona. Në kryeqytet, "Skuadra Shigjeta" e Forcës së Posaçme "Shqiponja", arrestoi një 31- vjeçar nga Tropoja, i cili po udhëton- te me një makinë luksoze "Porsche Panamera", pranë "Farmacisë Nr. 10". Gjatë kontrollit të mjetit atij iu gjet një pistoletë tip "Glock", me një krehër me 14 fishekë që e mbante pa leje. Të arrestuarit, Bylbyl Halili iu sekuestruan edhe një sasi e konsiderueshme parash, një shumë prej mbi 2 mijë eurosh dhe 55 mijë lekë të rinj. Nga ana tjetër, Policia e Kavajës arrestoi në fshatin Kryemadh 35vjeçarin Xhaferr Kita, i cili ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Vitin e kaluar, Gjykata e Milanos ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg", për akuzën "Trafikim i paligjshëm i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope", vepër për të cilën ai rrezikon deri në 20 vjet burg. Policia tha se ka nisur puna për sekuestrimin e pronave dhe aseteve pasurore që disponon.