Derdhja e ujërave të zeza, këtë sezon plazh të pastër
Investimi 7.8 milionë euro për impiantin e përpunimit
Pushuesit në bregdetin e Durrësit nuk duhet të shqetësohen më për derdhjen e ujerave të zeza në det.
Problemi që zgjat prej më shumë se 25 vitesh, ka marrë fund pasi tashmë të gjitha ujërat e zeza të zonave të banuara përgjatë vijës bregdetare, nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës, do të përpunohen në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Investimi kap vlerën e 7.8 milionë eurove dhe deri tani është realizuar 90 për qind e projektit, që pritet të sjellë një ndikim të madh në cilësinë e ujit. Burime nga Ndërmarrja e UjësjellësKanalizimeve bëjnë me dije se, duke nisur nga ky sezon turistik, plazhi i Durrësit do të jetë tërësisht i pastër falë përfundimit të investimit në zonën nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait në Shkëmbin e Kavajës. Aktualisht kanë mbetur pa u mbyllur vetëm 10 për qind e investimit të rrjetit sekondar dhe terciar të ujërave te zeza në zonën përgjatë bregdetit dhe në atë MIJE banorë të zonës së Plazhit do të jenë përfituesit e zbatimit të këtij projekti. Por gjatë muajve të verës, popullsia në këtë zonë shumëfishohet, duke qenë se shumë pushues nga Kosova dhe Maqedonia akomodohen në banesa private që lëshohen me qira një dhe dyjavore të banuar deri tek shinat e trenit. Në këto kushte, vija bregdetare do të jetë tërësisht e pastër dhe në dispozicion të pushuesve që do të frekuentojnë Durrësin. Bëhet fjalë për lidhjet fundore të çdo banese private, pallati apo biznesesh të llojeve të ndryshme me rrjetin dytësor dhe tretësor, të cilët më pas bashkohen me magjistralin kryesor dhe përfundojnë në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash. Projekti në fjalë ka vlerën e 7.8 milionë eurove dhe ka nisur të zbatohet në janar të vitit të kaluar. Inxhinieri i Ujësjellës- Kanalizime Durrës, Bledar Metalla, në një prononcim për "Panorama" shprehet se, duke nisur nga ky sezon nuk do të ketë asnjë shkarkim të ujërave të zeza në det. "Tashmë në terren janë kryer afro 90 për qind e punimeve, ndërkohë që deri në fund të këtij viti pritet të përfundojë edhe lidhja e banesave dhe bizneseve me kolektorin që i dërgon ujërat e ndotura në impiantin e Shënavlashit. Aktualisht ka përfunduar lidhja e të gjitha banesave dhe bizneseve nga krahu i detit dhe tashmë ajo zonë është tërësisht e përfunduar dhe nuk ka shkarkime të ujërave të zeza në det. Pra, problemi 25- vjeçar që ka pa- sur Durrësi me ujërat e zeza ka marrë fund dhe tashmë garantohet bregdet i pastër", u shpreh Metalla. Ai nënvizon se me këtë investim i jepet fund problematikës së ndotjes dhe së bashku me investimin që po kryhet për rrjetin e ri të ujit të pijshëm, zona e Plazhit tashmë ka një infrastrukturë tërësisht moderne dhe të denjë për pritjen e turistëve.