Panorama (Albania)

Prokuroria: 10 emrat që përdori Armando Prenga

“Deputeti fshehu dënimin për katër krime në Itali”

-

TRAZHGIM SOKOLAJ Deputeti socialist Armando Prenga ka përdorur dhjetë emra gjatë qëndrimit në emigracion në Itali.

Ky fakt konfirmohe­t nga dokumentet që ndodhen në dosjen e administru­ar tashmë në zyrën përkatëse të Prokuroris­ë së Përgjithsh­me për hetimin e rasteve të dekriminal­izimit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, prokuroria ka kërkuar heqjen e mandatit për deputetin e PS-së, Armando Prenga, për shkak të dosjes me materiale hetimore të ardhur nga Italia. Në këtë dosje jepen me detaje identitete­t që ka pasur Armando Prenga. “Në ngarkim të shtetasit Mondi Prenga, me datëlindje 26 qershor 1974, rëndojnë precedentë penalë, falsifikim dokumentes­h dhe krime kundër pronës”, thuhet ndër të tjera në dokumentet e sjella në Tiranë nga pala italiane. Sipas shkresës në gjuhën italiane, i njëjti person aktualisht nuk rezulton subjekt në kërkim nga autoritete­t italiane. “Shtetasi Prenga Mondi, lindur më 26 qershor 1974, i skeduar nga Kuestura e Milanos më datë 21 gusht 1996, rezulton i regjistrua­r me të dhëna dhe foto edhe me gjeneralit­etet: Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Gjoni Don, Arjan Ndoci, Arjan Ndoc, Arjan Noci, Mondi Prenga”, thuhet në dokumentin e mbërritur në Shqipëri nga drejtësia italiane. Burimet nga hetimi kanë thënë se pas nisjes së verifikime­ve në lidhje me Armando Prengën ka pasur të dhëna për precedentë penalë të tij në Itali. Për këtë arsye, autoritete­ve italiane fillimisht u janë nisur të dhënat e identiteti­t dhe u është kërkuar nëse personi ka përdorur emra e gjeneralit­ete të tjera në shtetin italian. Më pas, prokuroria ka pyetur palën italiane nëse emrat e përdorur nga deputeti rezultonin me dënime dhe përgjigjja ka qenë pozitive. Pasi ka renditur identitete­t e përdorura nga Armando Prenga, pala italiane ka theksuar se ai ishte i dënuar për vjedhje pasurish, falsifikim­e në përgjithës­i, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996- 1997 në qytetin e Milanos. Të gjitha këto të dhëna, sipas Prokuroris­ë, nuk janë deklaruar në formular sipas detyrimit ligjor nga deputeti. KËRKESA PËR KQZ- NË

Më 16 shkurt, Prokuroria e Përgjithsh­me i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve heqjen e mandatit për Armando Prengën. Në një deklaratë, prokuroria tha se ka konkluduar se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit “Për verifikimi­n e integritet­it të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ose i njohur ndryshe si ligji për dekriminal­izimin. “Sektori i Dekriminal­izimit në Prokurorin­ë e Përgjithsh­me ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit”, deklaroi Prokuroria e Përgjithsh­me. Sipas saj, Prenga rezulton se nuk ka deklaruar një dënim të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale të “falsifikim­it të dokumentev­e”, me 450 000 lekë gjobë. Po ashtu, sipas Prokuroris­ë, Armando Prenga nuk ka deklaruar as faktin që rezulton me precedentë penalë në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikim­e në përgjithës­i, marrje të pasurisë së vjedhur dhe deklarata për identitet të rremë në vitet 1996- 1997 në qytetin e Milanos. “Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritete­t italiane”, kanë bërë me dije burimet e Prokuroris­ë së Përgjithsh­me.

 ??  ?? Armando Prenga
Armando Prenga

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania