Bushi e nis me të rinj: Kualifikimi nuk është objektiv
"Na kanë pranuar Seferi e Maloku, periudhë përzgjedhjeje"
Trajneri i Kombëtares U- 21, Alban Bushi, në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e djeshme, ku ka prezantuar futbollistët e përzgjedhur për grumbullimin e tij të parë që do të mbahet në datat 1825 janar në Shqipëri.
Ai bëri me dije se objektivi i ekipit Shpresa është vetëm të nxjerrë lojtarë për ekipin e parë dhe jo kualifikimi në Kampionatin Europian. Gjithashtu, trajneri i Kombëtares U- 21 ka konfirmuar lajmin që ka publikuar "Panorama Sport" disa ditë më parë për pranimin e Elvir Malokut dhe Taulant Seferit për të veshur fanellën kuqezi. "Është grumbullimi i parë me U- 21 dhe është shumë i rëndësishëm për ne dhe për ata lojtarë që vijnë për herë të parë. Gjithashtu, ka edhe nga ata që kanë qenë edhe më parë pjesë e skuadrës. Ka qenë një periudhë e shkurtër për të parë disa lojtarë, sepse kam vetëm 1 muaj që e kam marrë punën", është shprehur Alban Bushi fillimisht, për t'i lënë vend interesimit të mediave. Ja fjala e tij në konferencën e djeshme:
NDËRTIMI I EKIPIT SHPRESA
"Bazë të ekipit nuk kemi, sepse nga lojtarët e vjetshëm kanë ngelur vetëm 4- 5. Jemi në kërkim të lojtarëve të rinj. Në muajin shkurt do ketë një tjetër seleksionim me lojtarë nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia dhe ndonjë vend tjetër. Jemi në një fazë që po ndërtojmë boshtin e ekipit".
INTERESIMI PËR AGIM ZEKËN
"Çdo lojtar shqiptar është në planet e ekipit kombëtar dhe prandaj do të bëjmë seleksionime të vazhdueshme për të zgjedhur më të mirët. Më pas, çdo gjë do të varet nga forma e çdo lojtari, sepse do funksionojë njësoj si në Kombëtaren e parë".
AFRIMET E REJA
"Deri tani nuk ka refuzuar njeri. Taulant Seferi dhe Elvir Maloku, që i kemi kontaktuar, e kanë pranuar ftesën dhe do të jenë pjesë e ekipit në grumbullimet e ardhshme. Të dyve, në mënyrë urgjente, po u bëjmë pasaportat. Të tjerët do t'i shohim në vazhdim. Nëse ne mendojmë se janë të vlefshëm, duke i parë që në këtë grumbullim, lojtarët do jenë pjesë e Kombëtares, pavarësisht se nga janë".
VIJIMËSIA E EKIPEVE ZINXHIRË
"Janë pothuajse 5 ose 6 lojtarë që kanë qenë pjesë e U17 dhe U- 19, por nuk kanë nivel shumë të lartë për momentin. Duhet pasur parasysh që ata janë të vegjël dhe, pavarësisht se nuk mund të kenë formë të mirë në këtë moment, mund të përmirësohen në një periudhë shumë të shkurtër".
LOJTARË NGA SHQIPËRIA
Kosova - "Nëse një lojtar është shqiptar, ne kemi detyrë ta kontaktojmë, pastaj është në dorë të vetë lojtarit për të marrë një vendim. Ne nuk na intereson nëse është i Shqipërisë apo i Kosovës, pasi nëse është shqiptar, do të jetë pjesë e jona, pavarësisht vendimit përfundimtar që do të ketë. Për ne, rëndësi ka që të jetë i mirë".
MUNGESA E DATËLINDJES 1996
"Nuk e kam menduar këtë. Nuk është objektivi ynë që të bëjmë një ekip të mirë për t'u kualifikuar në Kampionatin Europian U- 21. Objektivi ynë është që të bëjmë sa më shumë lojtarë për në ekipin A. Përzgjedhja e kësaj grupmoshe vjen për shkak se nuk ka shumë lojtarë të datëlindjes ' 96. Ka lojtarë, por nuk janë shumë të mirë".