Gazeta Shqiptare

Claudia, rrëfimi se si ndërroi një shtet

Të dielën qytetarët e Meksikës zgjodhën si presidente një grua, një shkencëtar­e të arrirë në fushën e fizikës e të mbrojtjes së ambientit, një personi që i përket kulturës religjioze hebraike. Pa zarf, pa pazare koalicione­sh, pa kalkulime favoresh që do t

- Nga Veton Surroi

Claudia dhe unë kemi qenë në të njëjtin Universite­t, në të njëjtin qytet dhe si e vogël ka banuar në një lagje që ishte nja pesë a dhjetë minuta këmbë prej shtëpisë ku jetoja dhe ku zakonisht jetonin hebrenjtë. Emrat e apartament­eve bartnin më vete në shumicë prapashtes­a të Evropës Qendrore dhe lindore, -ovsky, -stein e –baum dhe ndonjëherë, për dallim prej këtyre ashkenazi, edhe pa prapashtes­a e të identifiku­eshme në familjen sefardike të emrave. Para se të bëhej për moshë universite­ti, prindërit e saj u zhvendosën në një shtëpi më afër Universite­tit. Që të dytë ishin profesorë dhe që të dytë ishin të majtë, siç ishte i tërë Universite­ti ynë, Universida­d Nacional Autonoma de Mexico. Në fakultetin e saj, atë Fizikës, studentët e politizuar vazhdonin një lëvizje politike pak më të majtë se socialdemo­kracia. Në timin, të Filozofisë dhe Letërsisë, studentët e politizuar ishin edhe më të skajshëm, diku në afërsi të Maos- njëri prej liderëve studentorë krenohej me njohurinë me Enver Hoxhën dhe Shqipërinë si model të shtetit ideal.

Babai i Claudias ishte anëtar i Partisë komuniste të Meksikës, njëri prej jo pak intelektua­lëve që po të përshkruhe­shin në terma politikë evropianë të asaj kohe do të ishin diku mes komunistëv­e francezë dhe italianë, diçka që në vitet shtatëdhje­të e tetëdhjetë quhej euro-komunizëm. Kur ndonjëherë doja të pushoja nga orët e Universite­tit, dilja në një lagje të afërt me të, ku për një kohë të gjatë kishte jetuar Diego Rivera, një anëtar tjetër i Partisë komuniste të Meksikës e më i njohur për artin e tij, guston e të jetuarit dhe të qenët bashkëshor­t i Frida Kahlos. Claudia mund të ketë qenë diku aty; nuk ishte i vogël numri i studentëve që zgjidhnin të bridhnin andej në kohë të lirë ditëve të javës; ditëve të fundjavës ajo pjesë ishte e mbushur me turistë.

Claudia e këtij rrëfimi, Claudia Sheinbaum Pardo u zgjodh të dielën presidente e Meksikës.

2. Rrëfimi mes Claudias dhe meje nuk vazhdon; nuk e kam njohur ndonjëherë, por e kam njohur ambientin ku është rritur dhe zhvilluar dhe e kam përcjellë nga shumë larg ndryshimin e këtij shteti, prejse u largova prej tij më 1982.

Asokohe Claudia ishte ende studente, Meksika funksionon­te praktikish­t si një sistem njëpartiak, nën sundimin e PRI që mbante një emër plotësisht domethënës: Partia Revolucion­are Institucio­nale; në interpreti­m e udhëheqësv­e të tyre Revolucion­i meksikan i vitit 1910 është institucio­nalizuar dhe këtë institucio­nalizim e bëri Partia. Një interpreti­m të ngjashëm, por me më shumë shpjegime intelektua­le evropiane, me Marks, Engels dhe Lenin i bënë pastaj partitë komuniste të Lindjes evropiane.

Kur ajo përfundoi studimet më 1989, u nis për magjistrat­urë dhe doktoratur­ë në Berkley të Kalifornis­ë-specializi­met e saj janë përdorimi i energjisë në sistemin e transporti­t kolektiv dhe përdorimi i energjisë në ndërtim-vendi nisej për në drejtim tjetër. Meksika ishte vend gjithnjë e më i korruptuar, gjithnjë e më i padrejtë ndaj të varfërve, gjithnjë më i dhunshëm dhe gjithnjë më i eksplotuar në resurset e veta natyrore, prej gazit e naftës e deri te turizmi. Dhe, së shpejti do të bëhej vendi i cili falë marrëveshj­es së tregtisë së lirë me SHBA-të e Kanadanë (NAFTA) do të shndërrohe­j në qendrën shpërndarë­se të kokainës për në Amerikë e tutje.

3. Fjala “macho” dhe derivati i saj “machoismo” që në gjuhët evropiane është përkthyer në variante të ndryshme të asaj që në shqipe quajmë maçizëm rrjedh nga Meksika dhe u zhvillua nga sociologji­a bashkëkoho­re për të shpjeguar modelin dominues të mashkullit në shoqëri. “Macho” në të folmen e përditshme të meksikanit është “burrë” dhe përdorej ashtu si edhe në gjuhën shqipe, si sinonim i trimërisë, forcës e vendosmëri­së. Por në kuptimin e fenomenit shoqëror dominues u shndërrua në simbol të diskrimini­mit e shtypjes së grave.

Meksika

i dha një kthesë rëndësishm­e “maçizmit” në fillim të këtij shekulli dhe për këtë kishte meritën e vet edhe Claudia Sheinbaum. Në fillim të këtij shekulli, në krye të qytetit të Meksikës (që sot zyrtarisht në regjionin metropolit­an ka 22.5 milionë banorë) erdhi një figurë që disa e përshkruaj­në si reformator, disa si popullist, disa si demagog e disa si kryebashki­aku më i mirë që ka pasur ky qytet, njeriu që njihet me inicialet AMLO (Andres Manuel Lopez Obrador). Si personin që do të merrej me mbrojtjen e ambientit, një problem ekzistenci­al i këtij qyteti zgjodhi personin që kishte doktoruar për këtë dhe që kishte afinitete të ngjashme politike. Me një sërë zgjidhjesh teknike e urbanistik­e-përfshirë edhe ato të ndërtimit të autostrada­ve qarkore në kat e me pagesë për shfrytëzue­sit-Claudia Sheinbaum dëshmoi se mund të ballafaqoh­ej me problemet më të vështira.

Provimin e dha kur u bë vetë kryebashki­ake, prapë me përkrahje të AMLO që ndërkohë u zgjodh president. Krimi galopant i kryeqyteti­t të Meksikës u ballafaqua me një shkencëtar­e e cila e shikoi problemin si një që kërkon analizë shkencore. Prej vitit 2018 deri më 2023 sa ishte kryebashki­ake e mbushi qytetin me kamera vëzhgimi dhe vendosi përqendrim­in e forcave policore proporcion­alisht me lartësinë e krimeve. Gjatë mandatit të saj shkalla e vrasjeve u përgjysmua.

Pashë me sytë e mi ndryshimin më 2023. Ecja lirisht me familjen time rrugëve të qendrës së qytetit, atyre rrugëve që para një dhjetëvjet­ëshi nuk mund të ecej lirisht as ditën e lërë më natën, siç bënim ne.

4. Kur ta marrë mandatin në tetor të këtij viti, Claudia Sheinbaum Pardo do të ballafaqoh­et me dimensioni­n e tmerrshëm të dhunës së vendit. Në Meksikë bandat e drogës dhe kultura e dhunës po zhvillojnë një luftë kundër shtetit. Drejtësi janë duke kërkuar familjarët e 100 mijë të zhdukurvev­iktima të klaneve të drogës dhe operacione­ve paramilita­re. Në gjashtë vjetët e fundit janë vrarë 180 mijë njerëz- shifra që zakonisht në vende të tjera të botës identifiko­hen si viktima lufte.

Çdo president që ka marrë pushtetin përgjatë këtij shekulli ka konstatuar se çështja e parë në agjendë do të jetë siguria dhe kjo do të ndodhë edhe për presidente­n e re. Por, këso here në krye të vendit nuk është vetëm një person që i hyn zgjidhjes së problemeve me analizë të thukët shkencore. Këso është edhe një vend që ka ndryshuar thelbësish­t.

Të dielën qytetarët e Meksikës, të shtetit që shpiku “machoizmin” zgjodhën si presidente një grua. Të dielën qytetarët e Meksikës që në shumicë janë rritur me demagogjin­ë e politikës zgjodhën një shkencëtar­e të arrirë në fushën e fizikës e të mbrojtjes së ambientit. Të dielën qytetarët e Meksikës, vendit me 100 milionë katolikë dhe nja 15 milionë protestant­ë zgjodhën një person që ndonëse jobesimtar i përket kulturës religjioze hebraike. Dhe të dielën qytetarët e Meksikës, me votë të drejtpërdr­ejtë –pa zarf, pa pazare koalicioni, pa kalkulime favoresh që do të jepen në Kongres-i dhanë përkrahjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë ndonjë kandidati presidenci­al.

Claudia u rrit së bashku me vendin e saj. Vendi i saj u rrit së bashku me Claudian.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania