Gazeta Shqiptare

Shko në Lapardha

- Nga Edison Ypi

... patjetër një bangladesh. Largoju këtyre tmerreve.

Shko në Lapardha.

Jo nga Lushnja. Rruga për Lapardha nga Lushnja është plot me rreziqet që le prapa, sqepara, vaksina, bangladesh­a.

Po je trim shko në Lapardha nga Gramshi.

Mos shko në Lapardha duke pyt njërin e tjetrin: A ka ndonjë restorant të mirë andej nga Lapardhaja ? Në Lapardha nuk shkohet me mbush barkun. Në Lapardha shkohet me mbush Shpirtin.

Kur të jesh në Gramsh, mos i pyet gramshakët për cilësinë e rrugës për Lapardha. Ngaqë s'dinë, i bien shkurt, të thonë rruga është e pakakueshm­e, dhe mërzitesh, dekurajohe­sh.

Mos pyet për rrugën as shqiptarë barkderra që rrinë ulur nëpër kafenera ose bordura, as shoferë me makina të pastra. Njerëz që lëvizin, shofera me makina me rrota me baltë, vetëm ata e dinë, dhe ta thonë, si është rruga.

Në të dalë të Gramshit, sapo ke kaluar mbi urën mbi Devoll që të çon në Lapardha, te një rrugë majtas venë e vijnë gjithato makina. Janë qeflinjtë e ujvarave. S'ke punë me 'ta. Ujvarat janë si tasat e restorante­ve. Lëpihen prej të gjithëve. Pra mos shko majtas drejt asfaltit, rehatit, gromësimav­e. Therja djathtas drejt çakullit, gungave, aventurës.

Rrugë e pa asfaltuar, por e fortë. Te fshati Llalla, pyeti ata të dy me kosore në krahë a e njohin Adriatik Llallën. Do të thonë: Bëmë baba të të ngjaj, mos kërko në dynja hajduta më të ndyrë se ata.

Në një nga kthesat e panumurta do pyesësh për rrugën një djalosh që po zbret me motoçiklet­ë. Ku di gjë ai. Ai ishte në Tunjë për të takuar dashnoren që e ka njohur në Instagram.

Pak më tutje, një tjetër motoçiklis­t do të thotë: Nuk më dukesh si shqiptar.

Mos u habit. Thuaji: Nuk jam shqiptar. Jam amerikan. Kam mësuar Shqip vetëm me ardh nga Amerika këtu me të rrejtë ty.

Duke u ngjitur, ktheji ndonjëherë sytë pas.

Tej në horizont, Kishta, Kodovjati, Holta, Mokra, Lenia. Vetëm Kqyri. Mos u merr me to. S'ka Shekspir që i deshifron.

Pas nja dhjetë milionë kthesash dhe rreziqesh, Tunja.

Freskia e Tunjës dhe e nxehta e diellit u ndeshën paradite. Luftën e fitoi Dielli. Tunjën e zuri gjumi.

Mbi Tunjë, motoçiklis­t që ikën përpjetë, duket e zhduket nëpër kthesa.

Jepi gaz. Arrije Kallauzin. Do të thotë, jam nga katundi Katërlis. Bujrum, mirseardhe.

Do habitesh. Në hartë, katundi Katërlis ndodhet pas disa kilometras­h. Njësoj sikur dikush që banon te Brryli të thotë Bujrum në

Ndroq.

Mos u habit. Kallauzi gramshak, gjeografin­ë e mikpritjes e ka kolosale.

Është nisur nga Gramshi ku banon, po shkon në Katërlis ku shtëpinë e lindjes e ka shndrruar në shtëpi verimi.

Kallauzi para me motorr, ti prapa me Suzuki, përpjetë nëpër kthesat e panumurta si Don Kishoti me Sanço Pançën.

Pas miliona kthesash:

Katërlis !

Kështu quhet qafa nga mund të shihet krejt bota.

Menu mbretërore për sytë. Tomorri, Shpiragu, deti, Myzeqeja, Sulova, Gramshi.

Mos i shih gjatë. Po i pe gjatë dashurohes­h, dhe mbetesh aty, s'kthehesh më.

Bëj foto dhe video.

Nise location te disa miq.

Njëri prej këtyre miqve do të përgjigjet: Paske vajt te "Maternitet­i i Djajve". Djajtë vinë pjellin në Katërlis, dhe klyshat i shpërndajn­ë anembanë botës.

Vendi ashtu duket, si Mesi i Kurrkundit. Megjithatë, sedentarit të Tiranës që e kalon jetën në kafene, mos iu përgjigj, lere në kotësinë e vet.

Katër lisa të prerë në rrëzë. Katër vëllezër, katër dhëndurrë, katër motra, katër nuse, katër kunata, katër dasma, katër të vrarë, katër të vdekur, katër qefinë, katër qivure, katër varre, legjenda thuret e thuret në një spirale fractale të pafundme rreth numurit 4.

Pllajë malore.

"Far South" frymëndalë­s.

Venë e vinë çobenë dhish mbi motorra.

Janë shtatlartë.

Kanë dhëmbë të fortë.

Flokët drizë.

Mbajnë kanotjera leshi në mish.

Në shpinë, çanta.

Në brez pagure.

Në duar nagaçe për tu mbrojtur nga ujqërit që dalin natën.

Një çoban dhish që quhet hiç më pak se Leonardo, ka mbathur xhinse të grisura sipas modës. Ka 70 dhi'. E thotë hapur dhe shkoqur se është i lumtur.

Një tjetër çoban dhish thotë se ka studjuar Psikologji të aplikuar në Francë, në Sorbonë. Ka ardhur në katundin e vet për të bërë ca para që të mundësojë mbrojtjen e tezës shkencore frymëzuar nga Stendal: Ruajtja nga Panik Ataku gjatë udhëtimeve në vende ekzotike.

Dy goca të reja mbi motorr me flokët që ua merr era, s'kuptohet nga vijnë e ku shkojnë.

Dhi dhe bletë, ky është biznesi i këtyre anëve.

Rreth 1 mijë metra mbi det, nis tatëpjeta.

Rruga vështirëso­het. Por është e kalueshme.

Diku, për shkak të gungave të rrugës, Kallauzi rrëzohet nga motorri.

Pas pak, Katërlis, katundi i Kallauzit.

Shtëpia e Kallauzit, shtëpi modeste njëkatëshe rrethuar me vreshta dhe koshere bletësh.

Bëja qefin kallauzit duke i ardhur një herë rrotull shtëpisë. Kallauzi, pasi të lutet ta mirkuptosh se nuk është stina e mjaltit, të dhuron një tufë të madhe me çaj mali, nga më i miri në dynja.

Përshëndet­e dhe falenderoj­e Kallauzin e sjellshëm dhe mikpritës.

Pas pak, rruga shkëmbore bëhet befas argjilore e butë.

Në një kthesë, tabelë llamarine ku është shkruar:

Rruga At Ernesto

Dhurues:

Vullnetarë­t - miqtë Italiane dhe Sviceriane

Nën kujdesin e Motrave Vincenzian­e

Misionare në Gramsh

Korrik 2013

Plot me gabime ortografik­e dhe ambiguitet­e kuptimore, kjo tabelë do të lërë shijen e hidhur se fjala nuk është për priftërinj­sh dhe mugesha, por për hajdutë OJQ-sh që vjedhin taksapague­sit.

Pak më tutje, ndërkohë që ti zbret, një katërlisar ngjitet duke u luhatur. Katërlisar­i bën be e rrufe se nuk ka pirë. Kur ta pyesësh për murgeshat e tabelës, do të thotë me qesëndi se për bërjen e rrugës së lavdishme inkzistent­e janë shpenzuar qindra miliona.

Pas qefliut të rakisë dhe tabelave të llamarinës, njëripastj­etrit, dy banorë të tjerë lokalë, do të tregojnë të njëjtën mesese me priftërinj, priftëresh­a, dhe miliona të vjedhura.

Nga Tunja deri afër rënies në fushore, asnjë makinë, as tutje as tëhu.

Kur, befas trafikun e munguar, do ta sfidojë një djalosh me shkop, pa kanotjerë, pantallona të shkurtëra, çantë në sup.

Djaloshi po ngjitet përpjetë më këmbë. I gatshëm për muhabet. Është 18 vjeç. Po shkon në shtëpi, në Tunjë. Pra nja katër orë përpjetë dhe nja tre orë tatëpjetë. Po kthehet nga Tirana. Ku ka punuar nëpër parkingje dhe të tjera punë të zeza. E folura energjike e djaloshit është një mahnitje më vete. Thotë se ka emër kristian. Kur i thua se në Tunjë nuk ka kristianë, ngre supet, nuk di si ta spjegojë. Por ka qënë në Greqi, Me siguri atje ja kanë ndërruar emrin, pa e pyetur fare. Adoleshent­i tunjar apo tunjak, është po aq koherent sa edhe i rrëmujshëm. Një herë thotë "e kam mamin te një fshat atje poshtë", pastaj "mami më ka vdekur", dhe plot inkoseguen­ca të tjera. Mos i thuaj se hashashi ja ka fragmentar­izuar mendimin dhe ja çrregullua­r kujtesën. Uroji fat. Përshëndet­e. Ik.

Më së fundi do mbarojnë kthesat, të përpjetat dhe të tatëpjetat. Rruga shkon horizontal­isht nëpër ca kthesa të ëmbëla.

Ke rënë në Luginën e Lapardhasë.

Majtas e djathtas bimësi e dëndur, tokë e begatë.

Diku anës udhës do shohësh një vendali duke sistemuar mullarët e barit me cfurk. Thuaji: Po ç'lodhesh kot me bar bagëtish u burr i dheut. Merru me atë "barin tjetër". Do i ndrisi fytyra. Do knaqet tue u qesh. Mes të qeshurave, do të thotë: S'ja kam ngenë. Duhet të jesh' "i lidhur", që un s'mundem. Duhet shumë ujë, që unë s'e kam. Duhet guxim, që më mungon.

Ja dhe i ziu asfalti.

Ndjesia pozitive që të jep Lugina e Lapardhasë është përtej çdo aftësie deskriptue­se. Përgatitu ta përballosh atë ndjesi llaftarisë­se. Përndryshe çmendesh.

Lugina e Lapardhasë është aq e begatë sa me siguri i mban brenda Beratin, Lushnjën, Fierin.

Mijëra shtëpi dhe vila të reja. Njëra më e bukur se tjetra.

Asnjë centimetër tokë e pa punuar.

Gjithçka e zhytur në një bimësi të dendur dhe të hijshme që nuk e gjen kurrkund në Shqipëri.

Pa dalë në rrugën Lushnje-Berat, laja Suzukut gjurmët e lavdisë, pluhurat dhe baltrat, Larjen do ta bëjë me shumë kujdes një nënë me çupën e saj 8 vjeçe.

Duke u kthyer në Tiranën e të patalentua­rve të famshëm dhe parazitëve të pasur, do thuash me vete: Tani që Shqipëria është zbrazur e tëra nga besa dhe burrnia, dhe e bukura e dheut nuk është më Shqipëria por Lapardhaja, t'ja ndërrojmë Shqipërisë emrin. Nga Shqipëri ta quajmë Lapardha. Tingëllojn bukur:

Republika e Lapardhasë Parlameti Lapardhak. Kushtetuta Lapardhake. Politika Lapardhaca­ke. Pluralizmi Lapardhanj­os.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania