I akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ekstradohet në Greqi 28- vjeçari ukrainas
I riu u kap në Kakavijë me dokumente false
KAKAVIJË - Ekstradohet drejt Greqisë një shtetas ukrainas, i kërkuar nga drejtësia greke, i dyshuar për vrasje. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se 28- vjecari ukrainas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore greke më datë 29.10.2018, kanë lëshuar urdhër- arresti ndaj këtij shtetasi i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasja" dhe "Armëmbajtja pa leje", të parashikuara nga Kodi Penal grek. Ai u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës dhe në momentin e kapjes ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, por është neutralizuar dhe prangosur. "Nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi, nga vendi ynë drejt Greqisë, i shtetasit ukrainas, M. Y., 28 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore greke më datë 29.10.2018, kanë lëshuar urdhër- arresti ndaj këtij shtetasi i dyshuar për kryerjen e veprave penale ' Vrasja' dhe ' Armëmbajtja pa leje', të parashikuara nga Kodi Penal grek", thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë. Ndërsa sqarohet se "më datë 25.04.2018, rreth orës 22: 15, në sheshin ' Exharcia', Athinë, dyshohet se shtetasi ukrainas M. Y. në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka sulmuar një shtetas me një shufër hekuri dhe më pas e ka goditur 6 herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen. Ky shtetas më datë 05.03.2019 është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës dhe në momentin e kapjes ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, por është neutralizuar dhe prangosur.
Shtetasi M. Y., udhëtonte në drejtim të Greqisë me kartë identiteti, pasaportë dhe patentë, të falsifikuara. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athina, u bë i mundur ekstradimit i tij drejt Greqisë".