Shpallen emrat e 863 mësuesve që do t'i nënshtrohen provimit
Qendra e Shërbimeve Arsimore: Dokumentacioni që ju duhet ditën e provimit Kush do të testohet në Gjuhë- Letërsi, Arsim Fillor e Anglisht
Ka filluar testimi për mësuesit kandidatë që dëshirojnë të fillojnë punë në një nga institucionet e arsimit parauniversitar në vend. "Gazeta Shqiptare" zbardh sot listat me emrat e 863 mësuesve që do të kryejnë testimin e informatizuar në periudhën shtator- tetor, sipas kalendarit. Të gjithë të interesuarit mund të verifikojnë ditën e provimit sipas profileve Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Arsim Fillor, Gjuhë Angleze, Biologji, Gjeografi, Matematikë, Edukim Fizik, Kimi, Fizikë, Shkenca Sociale etj. Testimi i informatizuar do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Tiranë, ku kandidati duhet të paraqitet 30 minuta para fillimit të testimit. Ai duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim ( kartë ID ose pasaportë), kopje të kartë ID ose pasaportë si dhe duhet të ketë formularin e pranimit nga ana e DAR/ ZA për fazën e dytë të konkurrimit. Të gjithë ata kandidatë, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar. "Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit. Lutemi që kandidatët të paraqiten vetëm në orarin e përcaktuar. Në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në ueb, lutemi të kontaktoni në adresën ' provimeshteti@ outlook. com' si dhe të njoftoni përpara se të hyni në ambientin e provimit", - theksohet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ndërkohë, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL- të përkatëse. Sipas nenit 7 në ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009 theksohet se personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.