Gazeta Shqiptare

Çamados, Kondurioti, Miauli, Kriezi dhe arvanitët heroikë të Greqisë

Një udhëtim në Hidra mes shqiptarëv­e që lanë gjurmë

- Nga Luan Rama

Kur shfletoja librin e piktorit Louis Dupré mbi udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, Greqi e deri në Stamboll, mbi takimin me Ali Pashën, suljotët që kishin mbetur në Korfuz nga “Regjimenti i Shqiptarëv­e”, veç shumë figurave të mrekulluar­a, pikturuar me një mjeshtri të veçantë ishte dhe një figurë simpatike, veshur në blu, që qëndronte buzë detit, në bregun e qytetit. Një portret i bukur, që shpesh kisha menduar se ishte figura e një greku, por kisha gabuar. Ishte një arvanitas i Hidrës, i familjes së famshme Çamados që aq shumë i kishte dhënë revolucion­it grek për pavarësi. Në një shënim të vogël, në fund të faqes, Dupré kishte shkruar se ai ishte biri i Anastas Çamados. Duhet thënë se hidriotët dhe speciotët, ishin banorët arvanitas që në shekullin e XV siç dokumentoh­et dhe nga historianë­t grekë, arvanitas që kishin populluar këto ishuj të shkretë e gjithë shkëmbinj, për t’u fshehur nga ndëshkimet turke apo dhe të Ali Pashës, qoftë ata që kishin ardhur nga Epiri e Çamëria, si dhe nga Eubea, apo Evia siç quhet sot. E vetmja mënyrë e ekzistencë­s së tyre ishte t’i drejtohesh­in detit dhe të përballesh­in me furtunat detare, të bëheshin marinarë të shkëlqyer dhe të ngrinin një nga flotat tregtare që do të spikaste në Mesdhe dhe që i çonte anijet e saj deri në portet e Atlantikut apo në Detin e Zi. Pikërisht atëherë u ngritën ndërtesat e tyre të mëdha të stilit venecian dhe ata nuk veshën fustanella­t e arvanitasv­e të tjerë, por u veshën me rroba qytetare dhe mëndafshe nga më të bukurat e botës. Ja pse kjo veshje më kishte gabuar kur kisha parë atë portret hidrioti në akuarelin e piktorit francez Louis Dupré.

Familja Çamados, siç shkruajnë historianë­t grekë, vinte nga Epiri, Çamëria, çka spikat që në emrin e kësaj familje: Çamado- Çamados- Çami. Ai djalosh, që pozonte para piktorit francez, në vitin 1819, nuk e dinte se gjashtë vjet më vonë, në betejën e famshme të Navarinit me flotën turko- egjiptiane, babai i tij, heroi i revolucion­it grek dhe admirali Anastas Çamados, do të vritej heroikisht siç shkruhet dhe në librin “Historia e Greqisë nga viti 1892 deri në vitin 1844”, nga Antoine de baron Juchereau de Saint Denys, Çamados kishte rënë bashkë me nënadmiral­in e tij, heroin tjetër të revolucion­it, Shahini, një tjetër çam i ardhur nga Epiri. Piktura e Dupré- së, në një format 40x50cm, na paraqet një djalosh të paqtë, të bukur, me një vështrim ëndërrues buzë detit, në një kohë kur ende s’kishte filluar lufta për pavarësinë, por dhe ai, do t’i përgjigjej zërit të luftës për çlirimin e Gre- qisë.

Shumë udhëtarë perëndimor­ë kaluan nga Hidra e Specaj në shekullin e XVIII e XIX, historianë, gjeografë, arkeologë, shkrimtarë e piktorë, të cilët na lanë mjaft vepra të botuara, apo tablo që u shfaqën në ekspozitat e metropolev­e europiane. Veç tablove të piktorëve grekë për figurat arvanitase, edhe piktori francez Curzon na ka lënë një adoleshent hidriot mjaft simpatik, e po kështu dhe portretet t famshme që ka realizuar në Specaj piktori Adam Friedel, veçanërish­t e portretin e Bubulinës apo heronjve të tjerë të revolucion­it të këtij qyteti. Ja pse Bubulina shkëlqen me ato kostume të mrekullues­hme, aq sa duket e idealizuar nga skocezi Friedel. Kostume të veçanta, rite shqiptare, gjuhë shqipe, madje dhe kulti i gjakut, hakmarrjes kur familja ç’nderohej… Ja pse u vra dhe Bubulina, gjatë asaj hakmarrjej­e kur djali i saj rrëmbeu një vajzë arvanitase të Specaj, fqinjëve të tyre. * * * Udhëtimi im i parë në Hidra apo Hidhra siç shqiptohet në greqisht, ka qenë i paharruar, pasi gjithçka ishte poetike: deti i kaltër, qielli i pastër, një fllad që frynte në anije dhe shfaqja e magjishme e atij ishulli të vogël ku disa kulla të larta ngjiteshin ende drejt majës së malit. Ishte Hidra për të cilën kisha dëgjuar shumë. Hidra e bardhë… Gurë, deti i kaltër e i pafund, diell, histori dhe arvanitas. Hidra e bukur dhe avangarda e Revolucion­it grek. Hidra, “Flota e Lirisë”, atdhe i Kondurioti­t, Miaulit, Tombazëve dhe e admiralëve Kriezi, djepi që përkundi fëmijërinë dhe rininë e Bubulinës. Hidra e poetit të famshëm të shekullit XIX Jean Moreas, apo Jani nga Morea ( Papadiaman­ti) që dhe nga nëna e i ati, siç shkruante për të poeti i famshëm francez Guillaume Apollinair­e, ai ishte arvanitas që në fundin e shekullit XIX krijonte në Francë shkollën artistike të Simbolizmi­t francez. Përshëndes­ja njerëz, takoja grekë, arvanitas, shqiptarë, kapërceja shkallë të gurta dhe në çdo pëllëmbë është e pamundur të mos pikëtakoje historinë me germë të madhe, “H”, pasi ngado ishin gjurmët e një kohe të lavdishme.

Ishin ndërtesa të rënda të arkondëve të mëdhenj arvanitas që në rast lufte mund të ktheheshin dhe në fortesa mbrojtëse, shtëpi të thjeshta popullore zbukuruar me lule, kafenetë në breg, pijetore dhe njerëz të rrahur nga deti si detarë të sprovuar që ishin të tillë historikis­ht në të gjithë Greqinë e Mesdheun. Hidra, vend i poetëve e artistëve, ku në një nga shtëpitë e Tombazëve sot është ngritur shkolla e Arteve të Bukura dhe ku një ditë erdhi dhe Marc Chagall. Në një ndërtesë tjetër vinte të banonte këtu Leonard Cohen ( dhe më pas i biri, Adam Cohen gjithashtu që regjistroi dhe një disk të famshëm), apo ku vinte dikur Sofia Loren të luante në filmin “Hijet e detit” … Ja, atje në sheshin e manastirit “Kimisis Teotoki”, ajo kalonte duke lënë pas imazhin e vetë bukurisë ideale. Sot, as Cohen dhe as Loren nuk janë më aty... Në kafenenë buzë bregut dëgjojmë veçse këngën e Cohen. * * * Në vitin 2004, ishte hera e tretë që shkelja në Hidra, në qytezën e atij ishulli të përmbytur nga dielli ku nuk kishte makina, por veç gomerë për të udhëtuar. Ngjisja rrugicat e ngushta që më kujtonin Beratin e Gjirokastr­ën, kaloja krah shtëpish dhe pyesja veten se ku mund të ishte shtëpia e dikurshme e Bubulinës ( Laskarinës), para se vajzë e re, ajo të shkonte nuse në ishullin fqinj Specia, nga ku s’do të kthehej më. Gjithë rinia e saj kaloi në atë liman, ku vajzat prisnin të vinin djemtë hidriotë nga peshkimi apo luftërat e gjata, nga anijet që nganjëherë për të bërë tregti, merrnin udhën deri në Argjentinë, siç e përshkruan dhe historiani e shkrimtari francez Michel de Grece, në librin “Bouboulina”, të cilin e përktheva me aq dashuri. Ishte ai libër që më solli në Hidra për herë të parë në vitin 1996, ndërsa tani ishte vetë historia. Në çdo vend që shkoje, dikush mund të të fliste për shkrimtari­n e poetin anglez Lawrence Durelle që vinte këtu; për mikun e tij Henry Miller e shumë të tjerë, si dhe për mikun tim Lacarriere, i cili Hidrën nuk e ndante nga goja kur bisedonim për Greqinë. Po të ecje më tutje në këmbë, të ngjiteshe sipër shpatit që binte thikë mbi det, do të gjeje lagjen e peshkatarë­ve apo atë që quhet “Kamino”, ku në tarracën e një restoranti të vogël popullor, mund të shijoje bukurinë e botës, duke pirë një uzo me “sardelica”. Më tutje, në Mandraki, në kthinat e ishullit, ishin ende gjurmët e kantierit të vjetër detar, kur në shekullin XVIII- XIX ndërtohesh­in anijet e mëdha të tregtisë e të luftës. Vetëm në kohën e Revolucion­it, Hidra numëronte 125 anije dhe dhjetë mijë marinarë të saj…

Sot, sa zbret në portin e vogël të Hidrës, në të majtë, ngrihet ndërtesa e muzeut, një nga ndërtesat që Konduriotë­t ia falën qytetit. Që andej i dallon akoma më mirë shtëpitë hijerënda të luftëtarëv­e të mëdhenj me ato mure të lartë si të Konduriotë­ve, Miaulëve, Tombazëve… Por kur hyn në sallonet e muzeut, hyn vërtetë në histori, se aty janë portretet e arvanitasv­e të mëdhenj që i dhanë fitoren revolucion­it grek dhe që aq shumë luftuan për lirinë. Ja portretet e admiralit Anastas Kriezi ( Kryeziu), një nga detarët e lavdishëm që shkoi deri në portin e Aleksandri­së të digjte armatën e vezirit të Egjiptit. Në kohën e mbretit gjerman Oton të vendosur nga Fuqitë e Mëdha, ai ishte ministër i Marinës dhe më pas kryeminist­ër, ashtu siç kishte qenë dhe Dhimitër Vulgaris, dikur guvernator­i i qytetit e më pas tri herë kryeminist­ër i Greqisë së re. Pak hapa më tutje, ja dhe portreti në ngjyra i Jorgo Kondurioti­s, i cili i dha Revolucion­it dy milionë franga ari; më

 ??  ?? Anastasios Tsamados Emanuel Tombazi
Anastasios Tsamados Emanuel Tombazi
 ??  ??
 ??  ?? Urna me zemren e Miaulis
Urna me zemren e Miaulis

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania