Bushati: Javën tjetër negociatat për paktin detar me Greqinë
Ministri
për Evropën e Punët e Jashtme, Ditmir Bus hati u shpreh dje, se javën që vjen do të nisin negociatat për marrëveshjen e detit me Greqinë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i ndodhur në Nju Jork, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të OKB- së mbi paqen e qëndrueshme ministri i Jashtëm i Shqipërisë foli edhe për negociatat me BE- në. "Gjatë këtyre dy muajve do të vijojmë kontaktet dhe komunikimin lidhur me procesin e reformave, sidomos me reformave në fushën e së drejtës në ekonomi edhe me Francën dhe me vende të tjera, të cilat kërkojnë më shumë informacion dhe kërkojnë ta shfrytëzojnë kohën e mbetur në mënyrë sa më efektive që në fund të kemi një vendimmarrje, e cila do të ishte e kënaqshme për të gjitha palët",- u shpreh Bushati për lobimin që po bën qeveria shqiptare për hapjen e negociatave. Sa i përket negociatave me palën grek, Bushati u shpreh se "Ka pasur vonesa për shkak të situatës së brendshme dhe për shkak të nevojës për një rakordim më të mirë nga ana jonë. Javën tjetër do të jetë raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare. Ndërkohë, puna po vazhdon në të gjitha frontet e tjera. Mendoj se i gjithë procesi i bisedimeve për të gjithë temat që janë në bisedime me Greqinë është futur në hullitë e normalitetit dhe besoj se do të kemi mundësinë që të ecim përpara në adresimin e këtyre temave". Sa i përket përfshirjes së çështjes çame në këto bisedime, Bushati tha se kjo është trajtuar "si një çështje ekskluzivisht e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që nuk ka të bëjë assesi me pretendime territoriale në shekullin e 21".