Pal Lekaj: S'na informuan, do bëjmë kërkesë për zbritje
Taksa në Rrugën e Kombit, qeveria e Kosovës shpreh pakënaqësi
Kosova
ka shprehur pakënaqësinë dhe mo saprovimin ndaj taksës së vendosur nga qeveria shqiptare në Rrugën e Kombit. Autoritet e Kosovës kanë reaguar publikisht se nuk janë pyetur dhe as informuar për një vendim të tillë. Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, ka bërë të ditur për "Telegrafin" se është i interesuar që sa më parë të definohen gjërat sa u përket autostradave, duke thënë se do të merren parasysh modelet me të mira për zhvillimin e këtij projekti. Sipas tij, duhet të shikohet mundësia e koncesionimit të taksës rrugore me kushtin që mirëmbajtja e rrugëve të bëhet nga koncesionuesi. "Sa i përket tarifës së pagesës për shfrytëzimin e autostradave, presim një raport matjeje për numrin e automjeteve që qarkullojnë dhe për kushtet tjera që duhet të plotësohen për të arritur një çmim, i cili do të jetë i arsyeshëm për qytetarët. Do të shikohet edhe mundësia e koncesionimit të taksës rrugore, kjo me kushtin që mirëmbajtja e rrugëve të bëhet nga koncesionuesi. Ne jemi të interesuar që sa ma parë t'i definojmë gjërat sa u përket autostradave, edhe për pagesat në rrugë, por edhe për funksionalizimin e vendeve të parapara për pushimore në brezin rrugor", ka thënë Lekaj, duke shtuar se do të merren parasysh modelet me të mira për zhvillimin e këtij projekti. Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ( OEK), tha se një taksë e tillë për autostradën do të gjenerojë shumë më tepër efekte negative se sa pozitive. Ai sqaroi se ekzistojnë barriera të mjaftueshme në mes të një populli të ndarë në dy shtete dhe kjo do të jetë një barrierë shtesë që do të godasë më së shumti kosovarët.