Majko: Diaspora nuk do të trajtohet më si faktor i jashtëm nga shteti
"Me projektligjin ' Për diasporën', shteti shqiptar do të shkëputet nga marrëdhëniet formale të trajtimit të diasporës si një faktor i jashtëm", tha dje, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. Gjatë prezantimit të projektligjit "Për diasporën", në Komisionin për Politikën e Jashtme, Majko e cilësoi projektligjin "një moment evolutiv". Përpara fillimit të mbledhjes, kryetarja e komisionit, Mimi Kodheli tha se, "ligji vjen si një garanci e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, për promovimin e pjesëmarrjes së tyre më aktive në jetën e vendit të origjinës. Në fjalën e tij, ministri për Diasporën, Pandeli Majko tha se, "Ky ligj kuadër përfshin të gjitha problematikat dhe institucionet e interesuara që mbulojnë këtë fushë marrëdhëniesh nga ana e politikës shtetërore". Në këtë kontekst, Majko u shpreh se ligji mbështetet në kërkesat imediate për implementimin e plotë të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve". Gjithashtu, sipas tij, "projektligji është në harmoni dhe në frymën e standardeve ndërkombëtare të konsoliduar në një sërë aktesh, të tillë si, Karta e OKB- së, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Në raport me legjislacionin e zakonshëm, sipas ministrit, projektligji nuk krijon përplasje, pasi legjislacioni aktual ndjek të njëjtën frymë, por, në të njëjtën kohë, ky legjislacion dëshmon pamjaftueshmërinë për adresimin e plotë të nevojave të diasporës".