EJA, TAKOHU ME RININË TËNDE!
Maturantë të Politeknikumit bëhen bashkë, pas 60 vjetësh Tanimë nuk është ai Politeknikumi "7 Nëntori" që patëm lënë…
Sot ai quhet Instituti "Harry Fultz". Është më i sistemuar, më i pasur, më i siguruar me njerëz dhe me një portë të bukur hekuri që u hapet automatikisht automjeteve. Është më i pasur në mjedise dhe laboratorë, por jo më i dashur se atëherë, atëherë, kur u larguam që andej, të maturuar me diplomat e teknikut, në atë fundqershori të 1957.
Shkolla që sapo patëm kryer ishte një institucion i shëndetshëm, nga qendrat më të shquara të arsimit të mesëm, me pedagogë të përkushtuar, më të shumtët e të cilëve vinin nga studime jashtë vendit, që numëronin libra dhe manuale me autorësitë e tyre dhe me përkthime të vyera. Ishte ai vit, kur tre muaj pas diplomimit tonë, do të niste udhën historike edhe i pari universitet i vendit! Dhe kontingjenti më i madh i mësimdhënësve të universitetit vajti aty nga shkolla jonë! E ne e pamë me krenari këtë zhvendosje pasi vlerësuam edhe njëherë vërtetësisht kapacitetet e mësuesve tanë të mrekullueshëm.
Lamë pas oborrin e shkollës së dashur, me korpusin qendror, që nga ballkoni, i të cilit çdo vit na pat uruar fillimvitin shkollor drejtori emërmadh Gjergj Canco, i rrethuar nga ai grup pedagogësh të vyer që sapo përmenda dhe dolëm që andej me urimin e pestë të z. Canco, për suksese në jetën e re, në kantierin e madh, të cilit i shëmbëllente Shqipëria premtuese e viteve pesëdhjetë me uzina, hidrocentrale, miniera, stacione të mekanikës bujqësore dhe kombinate gjithë llojesh.
Hynim në ca porta punësimi që nuk ngopeshin me njerëz të punës, me ca paga që na dukeshin normale, ngaqë ende nuk gjenim mundësira krahasimi. Ishim të urtë dhe të përkorë nën nevojat e një vendi ku regjimi nuk ishte bërë ende i padurueshëm.
Ne, të porsadalët nga bankat e shkollës, ishim aq të rinj sa gatigati nuk kishim të formuar asnjë analizë mbi sistemin, nuk ia dallonim shoshoqit botëkuptimin e ndryshëm prej tonit. Ndaj miqësia jonë ishte e dëlirë. Dhe nga të gjitha nivelet e shkollimit miqësia më e shëndoshë është ajo e kohës kur dalim nga shkollat e mesme. Nuk dua të jem i prerë në këtë bindje, por përvjetorët e ndarjes nga auditoret e shkollave të larta, ne nuk i festojmë aq, për të mos thënë nuk i festojmë fare. Asnjëherë mbase, qoftë edhe çdo pesë vjet, siç bëjnë shumë nga maturantët e rruzullit. Siç e kemi bërë ne maturantët e 1957, të Degës Mekanike të Politeknikumit, që më datën 23 shtator 2017 po e festonim së bashku, rregullisht, për të dymbëdhjetën herë, qyshkur, para 60 vjetësh, atë qershor të largët ishim ndarë 86 të rinj dhe tani mblidheshim e shtrëngonim në krahë njëri- tjetrin, ne, 33 të moshuar, pensionistë.
Ishte takimi ynë me rininë. Secili, në sytë e përndritur nga lot malli të shoshoqit, shihte moshën e tij shtatëmbëdhjetë vjeçare. Tok me ata që na mungonin kishim qenë një brez i shëndetshëm dhe i suksesshëm, që u bënë teknikë të talentuar, shpikës, inxhinierë, kryeinxhinierë, shkencëtarë, pedagogë, dekanë, drejtorë, funksionarësh të administratës shtetërore dhe hierarkive politike… Dhe kishim mbetur miq, në një kameratizëm shtatëmbëdhjetëvjeçarësh, pa mërira profesionale. Dhe as politike! Kishim dhimbjen e ëmbël të nostalgjisë, por edhe gëzimin e gjashtëdhjetë vjetëve qëkur patëm atë kufi të maturimit. Secili nga ne mund ta festonte 60- vjetorin në shtëpinë e tij, me familjen dhe të afërmit, por kurrë nuk do të lumturohej aq shumë sa kur ta bënte këtë, tok me Agronin, Mirin, Viktorin, Kiçon, Sulën, Rasimin, Gëzimin, Grishën, Hektorin, Fejzon, Rudin, Bajramin, Panon, Limanin, Venon, Alqin, Saraçin, Pupin… Prandaj për atë ditë i kishim kthyer krahët shtëpive tona dhe kishim rendur atje, që nga Gjirokastra, bile që nga Greqia, bile nga Italia, Franca, Shtetet e Bashkuara… Kishim rendur ta shikonim lumturinë e takimit në sytë e njëri- tjetrit, në sytë e personazheve të asaj ngjarje të ëmbël dhe të largët.
Kishim rendur që të gjithë për atje, në atë takim!
Takimi ynë ishte i bukur, madhështor, i shenjtëruar! Ishte takimi me rininë tonë! Me mendimin se takimi ynë meriton të jetë një shem-